Mashtrimi me inteligjencë artificiale në një exchange në Tiranë, zbulohet emri i biznesmenit që u përdor nga autorët për t’i marrë 100 mijë euro 70-vjeçarit

24/08/2026 16:46

Detaje të reja kanë dalë nga skema e mashtrimit me inteligjencë artificiale, ku një 70-vjeçar, pronar i një exchange-i në Tiranë, u mashtrua duke i marrë 100 mijë euro.

Për këtë ngjarje u arrestuan Brian Serica dhe Skerdi Meta, ndërsa një tjetër person është shpallur në kërkim.

Siç mëson gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, të rinjtë kanë përdorur emrin e biznesmenit të njohur në Tiranë, Bashkim Ulaj, për të bindur 70-vjeçarin që t’u dorëzonte paratë.

Autorët shkuan në biznesin e tij dhe i treguan në telefon një video-call, ku dukej sikur po komunikonin me Mulajn, i cili sipas tyre kishte nevojë për një shkëmbim vlere në këtë exchange.

Në video, personi i shfaqur i kërkoi 70-vjeçarit t’ua jepte paratë të rinjve, duke i premtuar se do t’ia kthente pas disa orësh.

Kur shuma nuk iu kthye, pronari i exchange-it kontaktoi vetë Bashkim Ulajn, i cili mohoi të kishte bërë një telefonatë të tillë. Në atë moment 70-vjeçari kuptoi se kishte rënë pre e një mashtrimi dhe denoncoi rastin në polici.

Pas analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë dhe verifikimeve të kryera, rezultoi se video-telefonata ishte krijuar përmes inteligjencës artificiale, duke përdorur imazhin e biznesmenit për të bindur viktimën.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Top Channel