Kina tërheq mbi 4 milionë makina për rrezikun nga dorezat e fshehura të dyerve, 3 milionë prej tyre janë Tesla

24/08/2026 15:26

Kina ka nisur tërheqjen më të madhe të automjeteve në historinë e saj për shkak të problemeve të sigurisë që lidhen me dorezat e fshehura të dyerve. Masa prek më shumë se 4 milionë makina elektrike, mes tyre 2.98 milionë automjete Tesla të prodhuara në Kinë.

Në listë përfshihen edhe modele të prodhuesve kinezë XPeng, Xiaomi dhe Geely. Tesla njoftoi se disa automjete Model 3, Y, S dhe X kanë doreza që janë të vështira për t’u dalluar dhe përdorur, pasi kanë ngjyrë të ngjashme me veshjen e brendshme. Në rast të një përplasjeje të rëndë dhe ndërprerjes së sistemit elektrik, kjo mund t’i pengojë pasagjerët të hapin dyert dhe të vështirësojë ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit.

Makinave të prekura do t’u vendosen etiketa paralajmëruese në pjesën e brendshme të dyerve dhe do t’u bëhet një përditësim elektronik, që ul automatikisht xhamat pas një aksidenti. Dorezat e fshehura u vendosën në qendër të kritikave pas dy aksidenteve fatale me automjete Xiaomi në Kinë. Dyshohet se ndërprerja e energjisë elektrike pengoi hapjen e dyerve. Ekspertët vlerësojnë se etiketat dhe përditësimi elektronik janë vetëm një zgjidhje e përkohshme.

Kina ka vendosur t’i ndalojë dorezat plotësisht të fshehura nga 1 janari 2027. Automjetet e reja duhet të kenë mekanizma hapjeje manuale si brenda, ashtu edhe jashtë dyerve. Ende nuk dihet nëse Tesla dhe kompanitë e tjera do ta shtrijnë tërheqjen edhe jashtë Kinës.

Dorezat e automjeteve Tesla janë gjithashtu nën hetim në Shtetet e Bashkuara, pas raportimeve për fëmijë që kishin mbetur të bllokuar brenda makinave.

 

 

Top Channel