Juventus kërkon një tjetër sulmues, Spalletti nuk bindet nga Kolo Muani. Zbulohen dy emrat në listë

24/08/2026 11:07

Pas vetëm një ndeshjeje zyrtare, Kolo Muani duket se është vënë nën presion te Juventus. Trajneri Luciano Spalletti, pas fitores minimale ndaj Frosinones, kërkoi më shumë agresivitet dhe vendosmëri nga sulmuesi francez, ndërsa drejtuesve të klubit u ka dërguar një mesazh të qartë: skuadrës i duhet edhe një “9” me karakteristika të ndryshme.

Spalletti duket se dëshiron më shumë alternativa në repartin ofensiv dhe në listën e Juventusit kanë dalë dy emra: Joshua Zirkzee dhe Alexander Sørloth. Të dy sulmuesit konsiderohen profile që mund t’i japin Juventusit elementë që aktualisht mungojnë në repartin ofensiv.

Joshua Zirkzee nuk është pjesë e planeve të Manchester United dhe klubi anglez po kërkon një zgjidhje për të ardhmen e tij. Holandezi, i njohur në Itali për periudhën te Bologna, mund të largohet edhe në formë huazimi, një formulë që do të ishte interesante për Juventusin.

Megjithatë, Manchester United fillimisht pritet të shqyrtojë mundësinë e një transferimi përfundimtar. Një tjetër alternativë është Alexander Sørloth, i cili aktualisht nuk konsiderohet pjesë qendrore e projektit të Atlético Madridit.

Klubi spanjoll prej javësh po kërkon një sistemim për sulmuesin norvegjez, por deri tani interesimi për të ka qenë i kufizuar, kryesisht nga klubet turke. Sørloth ka qenë edhe më parë në orbitën e Juventusit, por drejtuesit bardhezinj nuk e kanë konkretizuar asnjëherë interesimin. Tashmë, me pak ditë të mbetura nga merkatoja, situata mund të ndryshojë.

Juventus duhet fillimisht të krijojë hapësirë në repartin ofensiv. Pas Kolo Muanit, trajneri Spalletti ka në dispozicion edhe Arkadiusz Milik, i cili ka dhënë sinjale pozitive gjatë fazës përgatitore, si dhe Jonathan David.

Ky i fundit konsiderohet kandidati kryesor për t’u larguar nga Torino, por deri tani ofertat e mbërritura në klub nuk kanë qenë bindëse.

Një nga pengesat kryesore për largimin e David është edhe paga e tij prej rreth 6 milionë eurosh në sezon, që e bën më të vështirë gjetjen e një klubi të interesuar. Fitorja ndaj Frosinones i dha Juventusit tre pikët, por paraqitja e sulmuesve duket se ka lënë jo pak pikëpyetje.

Spalletti kërkon më shumë konkretizim dhe konkurrencë në repartin ofensiv. Kolo Muani mbetet pjesë e projektit, por trajneri italian dëshiron një tjetër profil në mënyrë që të ketë alternativa taktike.

Në ditët e fundit të merkatos, drejtuesit e Juventusit do të duhet të punojnë paralelisht për gjetjen e një sulmuesi të ri dhe largimin e lojtarëve që nuk bëjnë më pjesë në planet e klubit.

Top Channel