Aksident mes dy mjetesh Jet Ski në liqenin e Kukësit, plagosen dy persona. Procedohet penalisht një 29-vjeçar

24/08/2026 07:06

Aksident me Jet Ski në liqenin e Kukësit. Dy persona kanë mbetur të dëmtuar lehtë pas përplasjes së dy mjeteve lundruese, ndërsa një 29-vjeçar është proceduar penalisht nga policia për “Plagosje e lehtë nga pakujdesia”.

Të dëmtuarit janë transportuar në spitalin e Prizrenit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, dy Jet Ski-t janë sekuestruar nga policia, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

“Kukës. Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Kukës proceduan penalisht shtetasin E. T., 29 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Plagosja e lehtë nga pakujdesia”.

Në liqenin e Kukësit, rreth orës 18:15, ky shtetas, duke drejtuar mjetin lundrues Jet Ski, ku ndodhej së bashku me shtetasin E. P., 46 vjeç, aksidentalisht është përplasur me mjetin lundrues Jet Ski që drejtohej nga shtetasi B. H., i cili po dilte në breg të liqenit për të ankoruar mjetin lundrues.

Si pasojë, kanë marrë dëmtime të lehta shtetasit E. T. dhe E. P., të cilët ndodhen në spitalin e Prizrenit, jashtë rrezikut për jetën.

Mjetet lundruese u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, shkruan Policia.

Top Channel