Shqipëria merr medaljet e para në Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Taranto të Italisë dhe është sporti i mundjes ai që ia dhuron ato me Ardit Zenelin, Zelimkhan Abakarov dhe Islam Dudaev.

Ardit Zeneli i dhuroi Shqipërisë medaljen e bronztë në stilin greko romak në peshën deri në 67 kilogramë duke mundur mundësin grek, Stavros Ntounias me rezultatin 9-8 pas një dueli që nuk e nisi mirë, por që e ktheu në favorin e tij me kalimin e kohës për të fituar medaljen e bronztë

Ndërsa Zelimkhan Abakarov dhe Islam Dudaev kanë të sigurt medaljen e argjendtë por që mund të shndërrohet në të artë. Kjo për faktin se të dy mundësit tanë kanë arritur të kualifikohen në finalet e kategorive të tyre në stilin e lirë.

Abakarov garoi në kategorinë deri në 65 kg në stilin e lirë dhe e nisi konkurrimin e tij me sfidën ndaj egjiptianit Eman të cilin e mundi 3-0. Më pas ai u përball me sirianin Dirki ndaj të cilit fitoi 6-2 duke siguruar vendin në finale ku do të dyluftojë për medaljen e artë me mundësin turk Duman

Ndërsa Dudaev mori pjesë në kategorinë 74 kg edhe ky në stilin e lirë. Fillimisht Dudaev u përball me Egzon Xhonin nga Kosova të cilin e mposhti 11-2. Fitore të lehtë Dudaev arriti edhe në çerekfinale me grekun Georgios Ioakeimidis të cilin e mundi 10-0 për të arritur në gjysmëfinale në përballjen me spanjollin Mohammad Mottaghinia duke e kaluar edhe këtë pengesa teksa e fitoi sfidën me të 3-1 dhe tani e pret finalja për medaljen e artë me mundësin nga Maqedonia e Veriut, Fati Vejseli. Si Abakarov ashtu edhe Dudaev do të dyluftojnë në finalet e tyre pasditen e kësaj të hëne me synimin për t’u ngjitur në shkallën më të lartë të podiumit të këtyre Lojërave Mesdhetare. Po të hënën nis konkurrimin edhe Albina Drazhi që do të dyluftojë në çerekfinale në stilin e lirë në kategorinë e peshës deri në 68 kg.

Top Channel