Zjarr i madh në pyllin me pisha në zonën e Pishporos, flakët përhapen në sipërfaqen e pyllëzuar Kundërshtimet për Reformën Territoriale në shumë qytete janë shoqëruar me idenë e zhvillimit të referendumeve vendore. Por sa i vështirë është organizimi i një referendumi vendor, kur Shqipëria nuk regjistron në historinë e saj asnjë të ngjashëm.
Profesori i së drejtës në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Robert Gajda, në një intervistë për korrespondenten e Top Channel Bruna Kërçyku, sqaron procedurën.
“Përsa i përket kuadrit ligjor që neve kemi lidhur me referendumet, ai paraqet disa mangësi edhe pse përpiqet të jetë rregullator. Ai kryesisht merret me referendumet e përgjithshme, por parashikon dhe rregulla për referendumet vendore.
Kështu në qoftë se do flasim për referendumet vendore, në radhë të parë kërkohet që të mblidhen ose 20 mijë firma, ose 10% e personave që kanë të drejtë për të zgjedhur në bashkinë apo në qarkun ku bëhen zgjedhjet, që të mund të propozojnë.
Dhe pastaj krijohet një grup organizator prej 12 vetash, të cilët shprehin çështjen për të cilën duan që të bëjnë referendum, siç është në rastin konkret nëse duan apo jo që të bashkohen apo të krijojnë një bashki tjetër. Pastaj kërkohen fletë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, disa formularë ku pastaj do të duhet të merren këto firma. Dhe njëherë që këto firma merren dhe verifikohet që janë të rregullta, pastaj do të duhet që të mund të organizohet referendumi vendor. Le të themi këto janë rregullat minimale që nevojiten për organizimin e tij.
Problemi është që neve kemi dy handikape për sa i përket referendumit. Njëri është që kuadri rregullator paraqet disa mangësi. Por problemi tjetër është (dhe kjo i përgjigjet dhe vazhdimit të pyetjes), është që neve as nuk e kemi praktikuar referendumin si shoqëri. As lokal, as të përgjithshëm. Pra ne dhe referendumet e përgjithshme tre kemi pasur në gjithë historinë tonë demokratike, çka do të thotë që e kemi përdorur shumë pak. Dhe problemi është që kur përdoret pak një instrument dhe duke mos pasur praktikë, ajo bën pastaj që edhe të ketë shumë pikëpyetje në mënyrën se si do të implementohet një instrument i tillë.
Në qoftë se flasim për referendumet vendore, nuk kemi pasur asnjëherë. Të paktën në dijeninë time, nuk di që të ketë ndodhur ndonjëherë referendum vendor. Ka pasur përçapje, nisma për referendum vendor, por nuk ka ndodhur asnjëherë. Nga ana tjetër, edhe nga vetë pushteti vendor, nuk kemi në rregulloret e tyre të brendshme rregulla të detajuara se si pastaj do të mund të zhvillohen referendumet vendore. Dhe kjo e bën dhe pak më të vështirë në vetvete.
Por nuk e bën të pamundur. Mund të mendoj që është një moment i mirë për qytetarët në këtë rast, që mendimin e tyre të mund ta shprehin nëpërmjet referendumeve vendore. Janë nisma të mira ato që ndërmerren për t’i bërë këto referendume, sepse në fund të fundit, po nuk e kërkove një gjë, nuk ke për ta kuptuar.
Janë nismat më të mira ato që ndërmerren për t’i bërë këto referendume, sepse në fund të fundit, po nuk e kërkove një gjë, nuk ke për ta kuptuar se si do të bëhet dhe nëse do të ndodhë apo jo. Kështu që unë mendoj që është një moment i mirë për ta parë dhe nga aspekti i demokracisë lokale apo vendore, por edhe nga aspekti i së drejtës. Sepse të dashurit, të zhvilluarit referendume do të bëjë që dhe ato organe që janë përgjegjëse për administrimin e tyre, do të mund të zhvillojnë një praktikë dhe do të mund të… le të themi, të plotësojnë ato mangësi që kuadri ligjor ka.
Dispozita e vetme që flet në lidhje me pjesëmarrjen, le të themi në rastin e Shqipërisë, ka një veçanti. Nuk parashikon një numër pjesëmarrësish që duhet të marrin pjesë në referendum. Por parashikon që alternativa e cila do të shpallet fituese, pra pro ose jo, do të duhet të jetë më shumë se një e treta e atyre që kanë të drejtën për të votuar. Pra, për ta thjeshtuar, në qoftë se në një bashki kanë të drejtën për të votuar 90 mijë njerëz, që një referendum të shpallet… të themi pro, pra ata që të votojnë pro për të fituar referendumi, duhet që minimalisht 30 mijë nga këta njerëz do të duhet të shprehen pro. Ky është i vetmi përcaktim që ka. Pra nëse nuk arrihet ky numër, referendumi edhe pse zhvillohet, nuk arrin dot që të shprehë vullnetin”, ka thënë ai.
Top Channel