Interi shfaqet spektakolar në startin e Serie A, mposht Monzën me “poker”. Esposito shënon gol me thembër
Pas fitores 4-1 ndaj Monzës në javën e parë të Serie A, trajneri i Interit, Cristian Chivu, komentoi paraqitjen e skuadrës dhe foli për disa prej futbollistëve të tij.
Interi e mbylli pjesën e parë në barazim 1-1, por pas pushimit shënoi tre gola dhe siguroi tre pikët e para të sezonit.
Për ndeshjen – “Monza na vuri në vështirësi dhe duhet t’u japim meritat për këtë. Në fillim kishte shumë frenezi dhe pasiguri, ndërsa avantazhi i menjëhershëm në pjesën e dytë na bëri të luanim më të qetë”, u shpreh Chivu.
Për Diouf, Zielinskin dhe Bisseck – Trajneri rumun vlerësoi paraqitjet e lojtarëve dhe theksoi se ata janë pjesë e rëndësishme e skuadrës. “Për mua janë të gjithë titullarë. I aktivizoj në varësi të momenteve dhe karakteristikave të kundërshtarit. Jam i kënaqur me të gjithë djemtë e mi, me mënyrën se si janë stërvitur dhe me gatishmërinë e atyre që janë kthyer nga Botërori”, tha ai.
Për gjendjen e Thuram – Chivu foli edhe për gjendjen e Marcus Thuram, i cili vijon përgatitjet pas problemeve fizike. “Ai vazhdon përgatitjet. Në Botëror pati disa probleme dhe nuk duam të rrezikojmë. Po punojmë për ta rikthyer në gjendjen optimale”, deklaroi trajneri i Interit.
Pse Lautaro ishte titullar? – Një nga temat e konferencës ishte edhe aktivizimi i Lautaro Martinez që nga minuta e parë. “Ka disa nuanca që një trajner duhet t’i kuptojë. Nuk duhet të harrojmë finalen e Botërorit. Njeriu vjen përpara çdo gjëje tjetër dhe ishte e drejtë që sot të niste nga minuta e parë. Ai nuk kishte nevojë të këmbëngulte me mua për të luajtur nga fillimi, disa momente i kuptoj vetë”, u shpreh Chivu.
Top Channel