“Lautaro nuk largohet”, Marotta mbyll çdo dilemë për yllin argjentinas dhe i dërgon mesazh Barcelonës: Nuk ekzistojnë kushtet e një transferimi të mundshëm

22/08/2026 19:03

Pak minuta para nisjes së sfidës mes Interit dhe Monzës, presidenti i zikaltërve, Giuseppe Marotta, ka folur për të ardhmen e Lautaro Martinez, emri i të cilit është lidhur së fundmi me një transferim të mundshëm te Barcelona.

Marotta ishte i prerë në qëndrimin e tij, duke theksuar se kapiteni i Interit nuk është në shitje.

“Lautaro është kapiteni ynë dhe përfaqëson historinë aktuale të Interit. Ajo që mund të them është se nuk ekzistojnë kushtet që ai të largohet nga Interi. Nuk duhet të flitet as për këtë”, u shpreh Marotta për DAZN.

Kështu, drejtuesi i Interit ka hedhur poshtë zërat për një largim të sulmuesit argjentinas, pavarësisht raportimeve të fundit nga Spanja që e kanë lidhur atë me Barcelonën.

Marotta foli gjithashtu për mundësinë e afrimit të një tjetër sulmuesi gjatë merkatos. Ai theksoi se klubi mbetet vigjilent për çdo mundësi që mund të shfaqet në treg.

“Jemi të vëmendshëm për të kapur çdo mundësi, gjithmonë në koordinim me trajnerin dhe falë gatishmërisë së pronarëve, të cilët gjatë këtyre viteve kanë bërë investime të tjera. Nëse do të ketë mundësi për të investuar sërish, do ta bëjmë, edhe pse kjo skuadër është shumë konkurruese edhe kështu siç është.”

Presidenti zikaltër foli edhe për politikën e merkatos dhe ndryshimet në skuadër. Sipas tij, Interi është ndërtuar me synimin për të pasur vazhdimësi dhe për të mos bërë ndryshime të shumta nga një sezon në tjetrin.

“E kemi ndërtuar këtë skuadër disa vite më parë, me objektivin që të zgjaste në kohë dhe për këtë arsye nuk kemi bërë shumë ndryshime. Këtë vit jemi përballur me moshën e disa lojtarëve, të cilëve u kemi hequr dorë me keqardhje.”

Marotta shtoi se Interi ka afruar futbollistë me një eksperiencë të madhe dhe me rreth 30 trofe të fituar, duke theksuar se përvoja është një element i rëndësishëm krahas cilësive teknike.

Deklaratat e Marottës duket se qetësojnë situatën rreth Lautaros, duke e bërë të qartë se Interi nuk e konsideron largimin e kapitenit një opsion për momentin, pavarësisht interesimit të raportuar nga Barcelona.

Top Channel