Situata e zjarreve në përmirësim, 4 vatra mbeten aktive. Ministria e Mbrojtjes: Nuk ka rrezik për banesat Një efektiv i Forcave të Armatosura është plagosur gjatë operacionit për shuarjen e zjarreve në territorin e Mirditës.
Sipas të dhënave paraprake, incidenti ka ndodhur teksa po furnizohej me ujë një automjet zjarrfikës i angazhuar në operacion.
Gjatë procesit, ka plasur një tub me diametër 120 milimetra, i pajisur me kokë metalike. Presioni ka shkëputur pjesën metalike, e cila ka goditur efektivin duke i shkaktuar dëmtime.
Korrespondentja e Top Channel, Brixhilda Deda, bën me dije se i plagosuri është identifikuar si 28-vjeçari Andrea Kaçi. Ai është marrë menjëherë në kujdes dhe është transportuar në Spitalin e Traumës për trajtim të specializuar.
Sipas informacionit më të fundit, Kaçi aktualisht po trajtohet në Spitalin e Traumës, ku po ndiqet nga mjeku neurokirurg dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Efektivi vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve, ndërsa gjendja e tij raportohet e stabilizuar. Incidenti ndodhi gjatë operacioneve intensive të Forcave të Armatosura dhe strukturave të tjera për përballimin e situatës së zjarreve në Mirditë.
Pas ngjarjes, ka reaguar edhe Ministria e Mbrojtjes, që konfirmon detajet e mësipërme.
“Në operacionin e Forcave të Armatosura në Mirditë për shuarjen e zjarreve, një prej efektivëve A. K. është dëmtuar gjatë procesit të furnizimit me ujë të mjetit zjarrfikës.
Efektivi i lënduar është transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës, në Tiranë, ku po merr aktualisht trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Efektivi i FA po ndiqet nga mjeku neurokirurg dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë qëndrimit në Spitalin e Traumës, efektivi është vizituar nga Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjenerallejtënant Arben Kingji, të cilët janë interesuar menjëherë nga afër për gjendjen e tij shëndetësore.
Ministria e Mbrojtjes vijon të ndjekë nga afër gjendjen shëndetësore të efektivit dhe t’i qëndrojë pranë në këtë situatë”, shkruan Ministria.
Top Channel