“Për mua, vetëm ti ke rëndësi”/ Letrat intime të asistentes së Trumpit, Natalie Harp, ngrenë pikëpyetje për marrëdhënien me presidentin
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka folur për situatën e futbollistëve që mund të largohen nga klubi, duke lënë të hapur çdo skenar për ditët e fundit të merkatos.
Në qendër të vëmendjes janë Jules Koundé dhe Alejandro Balde, për të cilët Barcelona e di prej kohësh se kanë interes në treg.
I pyetur për lojtarët që po stërviten të shkëputur nga grupi, mes tyre Marc Casadó dhe Héctor Fort, Flick përfshiu edhe Koundé dhe Balde në përgjigjen e tij.
“Është një situatë e klubit, po bëjmë shumë ndryshime. Duhet të presim fundin e merkatos. Është normale kur vendos të sjellësh lojtarë të rinj: mendon se si ta bësh ekipin më të fortë.”
Flick theksoi se lojtarët në fjalë janë informuar për situatën dhe se klubi ka zhvilluar biseda me ta.
“Për momentin, kjo është situata jonë. Kemi qenë të qartë me këta lojtarë dhe tani duhet të presim fundin.”
Në rastin e Koundé, Flick e ka aktivizuar si qendërmbrojtës në ndeshjen Gamper, ndërsa Eric García duket se ka fituar avantazh për një vend titullari në krah. Ndërkohë, për Balde është raportuar interesimi i Manchester United.
Mbrojtësi i formuar në akademinë e Barcelonës është takuar së fundmi me agjentin e tij, Jorge Mendes. Sipas raportimeve, Balde aktualisht preferon të vazhdojë në “Spotify Camp Nou”, por situata mbetet e hapur deri në mbylljen e merkatos.
Flick është pyetur konkretisht edhe për Balden dhe nëse ai është pjesë e planeve të tij për sezonin e ri.
“Është një pyetje e vështirë. Balde ka një cilësi të jashtëzakonshme dhe për mua është e rëndësishme ajo që thashë më parë: duhet të kesh bindjen për të luftuar për vendin tënd. Këtë dua ta shoh te të gjithë lojtarët.”
Trajneri gjerman foli edhe për nivelin e angazhimit të futbollistëve, duke theksuar se secili prej tyre duhet të tregojë çdo ditë se është gati për të luajtur.
“Çdo ditë shoh se çfarë bëjnë, çfarë tregojnë për të luajtur, nëse janë gati dhe nëse janë mjaftueshëm të mirë apo në nivelin e tyre maksimal. Kjo është shumë e rëndësishme për ekipin dhe klubin. Në fund, vetëm kur luajmë si një ekip kemi sukses. I dua të gjithë 100% të përkushtuar.”
Me mbylljen e merkatos që po afron, e ardhmja e Koundé dhe Balde mbetet ende e pasigurt. Barcelona duhet të marrë vendimet përfundimtare, ndërsa deklaratat e Flick lënë të kuptohet se asnjë skenar nuk është përjashtuar deri në ditët e fundit të merkatos.
Top Channel