Akuzat për shkeljen e privatësisë së fëmijëve/ Merr fund beteja ligjore, TikTok arrin marrëveshjen me SHBA-në, do t’i paguajë qeverisë amerikane 400 milionë dollarë

22/08/2026 07:50

TikTok ka rënë dakord për një marrëveshje jashtëgjyqësore prej 400 milionë dollarësh me Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së, duke i dhënë fund një beteje ligjore lidhur me akuzat për shkeljen e ligjeve federale për privatësinë e fëmijëve.

Çështja lidhet me mbledhjen e paligjshme të të dhënave personale të fëmijëve nën moshën 13 vjeç, pa njoftimin ose pëlqimin e nevojshëm të prindërve apo kujdestarëve.

Beteja ligjore nisi në vitin 2024, kur Departamenti i Drejtësisë dhe Komisioni Federal i Tregtisë (FTC) ngritën një padi të përbashkët ndaj TikTok-ut, duke e akuzuar platformën se kishte rrezikuar sigurinë dhe privatësinë e miliona të miturve.

Sipas autoriteteve amerikane, TikTok u kishte lejuar fëmijëve nën moshën 13 vjeç të përdornin aplikacionin dhe kishte mbledhur të dhënat e tyre pa marrë pëlqimin e kërkuar nga prindërit.

Madje, sipas akuzave, edhe llogaritë e krijuara në “Modalitetin për Fëmijë” për përdoruesit nën 13 vjeç kishin regjistruar adresa email-i dhe informacione të tjera personale.

Çështja konsiderohet një nga rastet më të mëdha të zbatimit të ligjit COPPA, i cili kufizon mbledhjen e të dhënave personale të fëmijëve nga platformat online pa pëlqimin e prindërve.

Marrëveshja përfshin gjithashtu kompaninë mëmë kineze ByteDance, e cila zotëron një pjesë prej 19.9% të aksioneve në TikTok në SHBA, pas shitjes së një pjese të aksioneve në fillim të këtij viti, në kuadër të përpjekjeve për të shmangur një ndalim të platformës nga administrata Trump.

Autoritetet amerikane kishin ndërmarrë më parë masa ndaj Musical.ly në bazë të COPPA-s, në vitin 2019. ByteDance e bleu Musical.ly në vitin 2017 dhe më pas e bashkoi platformën me TikTok-un.

Ndërkohë, TikTok po përballet edhe me shqyrtime nga rregullatorët evropianë.

Në korrik, Bashkimi Evropian kritikoi ashpër platformën për dështimin në mbrojtjen e të miturve, duke argumentuar se cilësimet e llogarive mund t’i ekspozojnë përdoruesit e rinj ndaj rreziqeve, përfshirë ngacmimin kibernetik.

Sipas Aktit të Shërbimeve Dixhitale (DSA), llogaritë e të miturve duhet të kenë kontrolle të rrepta sigurie si parazgjedhje dhe të jenë të dukshme vetëm me lejen e nevojshme.

Në vlerësimin e saj paraprak, BE-ja tha se cilësimet aktuale të TikTok-ut nuk përmbushin standardet e kërkuara, duke e ekspozuar kompaninë ndaj mundësisë së gjobave të konsiderueshme.

Top Channel