Zjarret në vend/ Ministria e Mbrojtjes: 20 vatra në 24 orët e fundit, 9 ende aktive. Situata më problematike në Pukë dhe Dajt

21/08/2026 09:40

Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 20 vatra zjarri, nga të cilat 9 mbeten aktive dhe 1 në monitorim.

Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 235 forca operacionale dhe 33 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 140 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Vatrat kryesore:

* Gojan–Gjegjan, Pukë – Situata mbetet problematike për shkak të erës së fortë dhe terrenit të thyer. Forcat janë përqendruar në mbrojtjen e banesave dhe është kryer evakuimi i banorëve. Operacioni është mbështetur edhe nga 40 efektivë dhe 3 helikopterë të FA-së.

* Mal Milot, Kurbin – Vatra vijon aktive, por rreziku për banesat është eliminuar për momentin. Në terren janë forca zjarrfikëse, ushtarake dhe bashkiake, ndërsa është kërkuar përforcim me forca dhe mjete të FA-së.

* Dajt, Tiranë – Ka riaktivizim të vatrës, por nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në operacion janë angazhuar MZSH, AZM dhe FA, me mbështetje nga 1 helikopter.

* Dukat, Vlorë – Zjarri në zonën e Shatës është zgjeruar gjatë natës në drejtim të malit. Në terren operojnë forcat vendore dhe 40 efektivë të FA-së dhe dy avionë Air Tractor; aktualisht nuk rrezikohen banesa.

* Ballaxhiaj, Memaliaj – Zjarri është nën kontroll dhe larg banesave, pas angazhimit të forcave zjarrfikëse, policisë dhe vullnetarëve; disa banorë janë evakuuar.

* Vatra të tjera aktive raportohen në Kalivaç, Shtuf, Gjorm të Sipërm dhe Hotolisht, ndërsa vatra në Lufaj, Mirditë, është nën kontroll dhe monitorim.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Top Channel