Opozita bllokon qeverinë/ PDK dhe AAK, shtatë ditë protestë kundër Kurtit për ngërçin institucional

21/08/2026 12:17

Prej shtatë ditësh, partitë opozitare, para nisjes së orarit zyrtar të punës së institucioneve, bllokojnë hyrjen e objektit të qeverisë së Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë vazhduar të kërkojnë konstituimin e institucioneve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj, Albin Kurti, që mban edhe postin e kryeministrit në detyrë.

PDK dhe Aleanca thonë që Kurti po bllokon institucionet për egon e tij personale dhe me këtë e shkel Kushtetutën.

“Me vetëdije të plotë është duke e shkelur Kushtetutën dhe rendin juridik në vendin tonë, kryekëput për interesa të tij, për egon e tij dhe për qëllimet e tij personale”, tha deputeti i PDK-së, Fadil Demaku.

“Një ndër shkeljet më të mëdha historike ka ndodhë nën udhëheqjen e një partie e cila, siç po shihet, është strukë diku në zyrat e veta dhe e cila vazhdon me qenë recidiviste në shkelje kushtetuese”, tha deputeti Besnik Tahiri.

Të premten, para qeverisë, pakënaqësitë me ngërçin institucional i kanë paraqitur edhe asamblistët e PDK-së nga Lipjani, të cilët po ashtu kërkuan formim të institucioneve.

“Nuk mundemi të lejojmë të bllokohen institucionet, nuk mund të lejojmë që me u mbyllë dyert e një institucioni publik, siç është Kuvendi, andaj unë e ftoj deputetin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje që me ardhë e me i hapë dyert e Kuvendit”, tha Yllëza Bedrolli.

Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht, por procesi nuk është përmbyllur, pasi Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar më shumë kohë deri në arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit.

Për një president konsensual, Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë duke vazhduar negociatat.

Top Channel