“Është obligim kujdesja për këtë kategori”/ 67 veteranë të luftës më kancer, Guxati kritikon Kurtin: Asnjë kërkesë nuk u plotësua

21/08/2026 15:05

Mungesë bashkëpunimi dhe mosrealizim i kërkesave të veteranëve të luftës: Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Guxati, kritikoi ashpër qeverinë Kurti, dhe u ankua se organizata që drejton nuk ka pasur takime apo diskutime me ekzekutivin në detyrë.

Ai u ndal veçanërisht te trajtimi shëndetësor i veteranëve, duke bërë të ditur se dhjetëra prej tyre janë të prekur nga kanceri.

Guxati theksoi se institucionet e Kosovës e kanë detyrim ligjor  të kujdesen për kategoritë e dala nga lufta, përfshirë veteranët dhe invalidët e luftës.

“Shoqëria dhe institucionet e vendit e kanë obligim me u kujdes për këto kategori të luftës. Është e vërtetë se ne nuk kemi kërkesa të mëdha as në qeveri. Megjithatë, dua të jap kritika në start se me këtë qeveri nuk kemi asnjë raport, bisedime dhe as takime.

Deri më sot, për gjashtë vite, asnjë kërkesë nuk është realizuar nga kjo qeveri. Ne i kemi 67 me kancer, 24 janë në Turqi tu u trajtu, disa në Europë dhe një pjesë në Kosovë. As për këta kërkesat nuk janë realizuar, përkundër që e ka obligim me ligj që Ministria e Shëndetësisë e ka obligim për veteranët dhe invalidët me i shëruar”, u shpreh Guxati.

Ndërkohë, nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, bëri të ditur se më 25 gusht do të mblidhet kryesia e organizatës, ku pritet të diskutohen hapat e mëtejmë lidhur me zhvillimet në Gjykatën Speciale. Syla tha se veteranët do të diskutojnë për veprimet që do të ndërmarrin në prag të vendimmarrjes së kësaj gjykate për ish-krerët e UÇK-së.

Top Channel