Seancë opozitare në Kuvend, PDK dhe AAK paralajmërojnë përshkallëzim të aksionit deri në konstituim

20/08/2026 15:11

Opozita në Kosovë po vazhdon mbajtjen e seancës së improvizuar në Kuvend. Në sallën e seancave, Partia Demokratike e Kosovës u ulën në vendet e tyre në anën e majtë, e ata të Aleancës në të djathtë.

Paraprakisht shpërndanë letra në ulëset e deputetëve të Vetëvendosjes me kërkesën “Respektoni Kushtetutën, konstituoni Kuvendin”.

Edhe të enjten shfrytëzuan foltoren për të kërkuar vazhdimin e seancës konstituive, sipas tyre për të kthyer kushtetutshmërinë. Deputetët thanë se bllokada ka rënduar mirëqenien e qytetarëve.

“Partia që i ka fituar zgjedhjet ka të drejtë të propozojë kryetarin e Kuvendit, por nuk ka të drejtë të mbajë peng Kuvendin. Fitorja në zgjedhje është mandat për të qeverisur, jo licencë për të bllokuar shtetin”, tha deputeti Jakup Nura.

“Kuvendi dhe institucionet duhet të formohen, sepse çmimi i produkteve të shportës familjare ka kaluar në ekstrem, duke vështirësuar jetën dhe mirëqenien e qytetarëve”, tha deputetja Albana Bytyqi.

Paradite, deputetët e PDK-së dhe Aleancës, të shoqëruar edhe nga asamblistët e Komunës së Vushtrrisë, u mblodhën para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke i kërkuar Albin Kurtit, kryeministrit në detyrë, të shkojë në Kuvend e të respektojë Kushtetutën.

“Ftoj Lëvizjen Vetëvendosje, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, të jetë në Kuvend, aty ku e ka vendin, të konstituojë institucionet, ta kthejë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë”, tha deputetja Ganimete Musliu.

“Krejt çka po kërkojmë, po kërkojmë të respektohet Kushtetuta, të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili e ka qartësuar periudhën kohore se cilat do të jenë ato periudha për konstituimin e Kuvendit”, tha deputetja Time Kadrijaj.

“Kosova nuk duhet të mbetet më në pritje, çdo ditë e humbur në këtë ngërç është një ditë më pak në zgjidhjen e problemeve reale të qytetarëve, për ekonominë, për arsimin, shëndetësinë, bizneset dhe të ardhmen e të rinjve tanë”, tha Vlera Tahiri.

Deputetët opozitarë paralajmëruan përshkallëzim të veprimeve të tyre, deri në konstituimin e Kuvendit.

Ngërçi politik, këtë herë, është shkaktuar nga mospropozimi i emrit të kryetarit të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët kanë kërkuar më shumë kohë, deri në arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit.

Top Channel