Pietro Puzone, ish-futbollisti i Napolit dhe një prej miqve më të afërt të Diego Maradonës, është shpëtuar pasi u gjet në gjendje të rëndë shëndetësore, i shtrirë prej ditësh në një stol në Acerra.
Puzone, i cili ishte pjesë e skuadrës së Napolit që fitoi titullin kampion në vitin 1987, po përballej sërish me varësinë nga alkooli. Ish-futbollisti ndodhej në kushte të vështira, me plagë të thella në këmbë dhe krahë, ndërsa qëndronte në një stol nën temperaturat e larta.
Situata u bë publike pasi aktivisti mjedisor Alessandro Cannavacciuolo publikoi një apel në rrjetet sociale për të kërkuar ndihmë për ish-futbollistin. Postimi u shpërnda me shpejtësi dhe solli ndërhyrjen e autoriteteve lokale.
Shërbimet e urgjencës 118 u aktivizuan nga kryetari i bashkisë D’Errico dhe punonjësit socialë, duke bërë të mundur që Puzone të dërgohej për trajtim mjekësor.
Aktualisht, ish-futbollisti ndodhet i shtruar në Klinikën Villa dei Fiori, ku po merr trajtimin dhe po kryen ekzaminimet e nevojshme.

“Situata ishte vërtet e rëndë. Prej ditësh ishte shtrirë në një stol nën diellin përvëlues dhe vazhdonte të pinte. Nuk e di sa gjatë do të kishte rezistuar”, tha Cannavacciuolo.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur edhe procedurat ligjore dhe sociale për t’i siguruar Puzones një program të qëndrueshëm rehabilitimi.
Ish-futbollisti që luajti krah Maradonës
Pietro Puzone u rrit në akademinë e Napolit dhe debutoi në Serie A në vitin 1982, në ndeshjen ndaj Cesenas. Me fanellën e Napolit ai fitoi kampionatin italian dhe Kupën e Italisë në vitin 1987, në të njëjtën skuadër me Diego Maradonën.
Puzone luajti vetëm nëntë ndeshje për Napolin, ndërsa gjatë karrierës së tij veshi edhe fanellat e Catanias, Spezias dhe Ischias.
Miqësia me Maradonën ishte një prej kapitujve më të rëndësishëm të jetës së tij. Puzone ka treguar më parë se të dy kalonin shumë kohë së bashku, veçanërisht në jetën e natës.
“Diego ishte futbollisti më i mirë në botë, ndërsa unë isha një i ri që mendoja vetëm të argëtohesha. Nuk dita ta menaxhoja talentin tim dhe humba shumë mundësi”, kishte rrëfyer ai.
Nga futbollisti kampion te jeta në rrugë
Pas tërheqjes nga futbolli, jeta e Puzones mori një kthesë dramatike. Varësia nga alkooli e çoi në një situatë ekstreme, duke e lënë të pastrehë dhe duke jetuar për një periudhë në rrugë.
Ai kishte kaluar më parë një periudhë të gjatë trajtimi dhe kishte arritur të rikthehej në rrugën e rehabilitimit, ndërsa në këtë proces kishte pasur edhe mbështetjen e Maradonës. “Pietro, duhet të shpëtosh veten”, i kishte thënë Maradona para se të ndërronte jetë, sipas rrëfimit të Puzones.
Ish-futbollisti kishte treguar se këto fjalë i kishte mbetur në mendje dhe e kishin ndihmuar në përpjekjen për të ndryshuar jetën.
Njeriu pas ndeshjes së famshme në baltë
Puzone ishte gjithashtu organizatori i një prej ndeshjeve më të veçanta të lidhura me Maradonën.
Në dimrin e vitit 1985, ai organizoi një ndeshje miqësore në baltë në Acerra për të mbledhur fonde për një fëmijë të lindur me një keqformim të rëndë në buzë.

Sot, pas më shumë se katër dekadash, Puzone ndodhet sërish në një betejë për jetën. Këtë herë, ai nuk u shpëtua nga një gol, një trofe apo nga një ndeshje futbolli.
Një apel në rrjetet sociale dhe ndërhyrja e njerëzve të qytetit të tij i dhanë atij një tjetër mundësi për të nisur rrugën e rehabilitimit.
Top Channel