Opozita i “zë derën” Kurtit, PDK dhe AAK kërkojnë kryeministrin në Kuvend, paralajmërojnë protesta të tjera masive

20/08/2026 12:05

Për të gjashtën ditë me radhë, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës vijuan aksionin para ndërtesës së Qeverisë, duke kërkuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që të shkojë në Kuvend dhe t’i hapë rrugë konstituimit të institucioneve.

Aksionit iu bashkuan edhe deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe përfaqësues vendorë të PDK-së. Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se opozita kërkon zbatimin e Kushtetutës dhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Ne krejt çka po kërkojmë, po kërkojmë të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Askush nuk është mbi ligjin, e mbi ligjin nuk është as Albin Kurti”, tha deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

Kadrijaj paralajmëroi se aksioni opozitar do të vijojë dhe se, nëse ngërçi politik nuk zgjidhet, protestat do të bëhen më masive.

“Ne nuk do të ndalemi si opozitë e organizuar deri në konstituimin e plotë të Kuvendit dhe Qeverisë. Nëse Albin Kurti vazhdon këtë avaz, edhe ne do të vazhdojmë me protesta, të cilat do të jenë edhe më masive”, tha deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, kërkoi që Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti të reflektojnë, duke theksuar se Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe të përgjegjshme.

“Ftoj Lëvizjen Vetëvendosje të reflektojë, Albin Kurti të jetë në Kuvend, aty ku e ka vendin, të konstituojë institucionet, ta kthejë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në vend”, tha deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.

PDK-ja i ka kërkuar kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që Kuvendi të mblidhet dhe të vazhdojë procesin e bllokuar të konstituimit.

Top Channel