Më shumë britanikë besojnë se përpjekjet për të ndaluar ardhjen me gomone të emigrantëve drejt brigjeve angleze përmes ngushticës së La Manshit që ndan Francën nga Anglia, do kenë më shumë efekt, nëse do ketë një përballje me Francën sesa përmes bashkëpunimit të deritanishëm.
Ky është konkluzioni nga një sondazh ekskluziv i bërë nga kompania YOUGOV, në emër të rrjetit informativ britanik SkyNews. Votuesit që kanë mbështetur dy partitë kryesore të së djathtës britanike, në zgjedhjet e fundit, kanë më shumë gjasa t’i përmbahen kësaj pikëpamjeje dhe konkretisht, 57 % e votuesve konservatorë dhe 79 % e votuesve të partisë Reforma të Nigel Farage.
Ndërkaq, shumë më e ulët është kjo shifër në radhët e partive të majta, si për shembull, vetëm 24 % e votuesve laburistë në pushtet dhe liberaldemokratëve, dhe 19 % e të Gjelbërve. (Në fakt, shumica e mbështetësve të këtyre tre partive të së majtës dhe qendrës mendojnë se bashkëpunimi më i ngushtë me Francën, sesa konfrontimi, është zgjidhja). Në mënyrë të pasaktë, sipas sondazhit të Sky News, 40 % e britanikëve besojnë se kalimet me gomone janë rritur këtë vit në krahasim me vitin e kaluar, dhe më shumë predominon ky mendim tek të djathtët e konservatorëve dhe partisë anti-emigracion të Farage.
Faktikisht, kalimet me gomone deri në këtë gusht janë më të ulëtat që nga viti 2021, kur arritën kulmin një vit më vonë, në 2022-shin. (Deri më sot, rreth 16 mijë emigrantë kanë kaluar me gomone përmes La Manshit, ç’ka është 43 përqind më pak se një vit më parë).
Në realitet, ka një pakënaqësi në rritje ndaj Francës pasi tërë këto vite ka marrë rreth 1 miliardë financime nga Londra për të patrulluar një territor relativisht të vogël të Francës veriore, që emigrantët dhe trafikantët të mos organizojnë kalime dhe kanë investuar në interceptimin dhe patrullimin nga pala franceze, gjë që dukshëm nuk është se ka frenuar kalimet, siç do donin britanikët.
Ndërkohë, Liberal Demokratët e qendrës, fajësojnë Brexit-in për kalimet pasi dalja nga BE-ja ka krijuar boshllëqe në aksesin në databazën biometrike të BE-së, dhe ka bërë që emigrantët të ndërmarrin këto udhëtime mjaft të rrezikshme duke e ditur se sa pak mundësi ka Britania që t’i rikthejë në vendet nga vijnë apo në vendet e BE ata që arrijnë të mbërrijnë në brigjet angleze, në kushtet kur ka ndaluar të funksionojë edhe e ashtuquajtura Marrëveshja e Dublinit në kohën kur Britania ishte pjesë e BE-së, dhe që nënkuptonte rikthimin e emigrantëve në vendin e parë të sigurt në Bashkimin Evropian, marrëveshje që duhet thënë se nuk është se ishte perfekte dhe tejet funksionale.
Top Channel