Magda Suljoti, në profesion është inxhiniere ndërtimi dhe eksperte zjarrfikëse.

Certifikatat e siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Zjarrfikësve deri në mars të vitit 2024, për 9 vite rresht, i jepnin asaj të drejtën të kryente edhe detyrën si trajnuesе bazë në fushën e mbrojtjes nga zjarri.

Në bazë të ligjit nr. 152, “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”, subjektet detyrohen të marrin masa parandaluese ndaj zjarrit, të cilat fillojnë me kontrollin e sistemeve dhe vazhdojnë me trajnimin periodik të personelit. Janë ekspertët ata që i mësojnë stafit se si të veprojë në rast zjarri.

Por, në nëntor të vitit 2024, ministri i Brendshëm i asaj kohe, Ervin Hoxha, me anë të udhëzimit nr. 64, ndryshon kriteret për dhënien e certifikatave për ushtrimin e aktivitetit privat në fushën e mbrojtjes ndaj zjarrit.

“Kriteret janë:

  1. Të kesh qenë ekspert zjarrfikës, pra të kesh punuar pranë shërbimit zjarrfikës të paktën për 3 vite.
  2. Të jesh i/e certifikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Zjarrfikësve, pra nga Akademia e Sigurisë.
  3. Të jesh i/e trajnuar në një shkollë jashtë vendit.”

Këto kërkesa sollën tkurrjen e numrit të ekspertëve në të gjithë Shqipërinë, pasi kriteret e reja u plotësuan vetëm nga 7 individë.

“Kam qenë e certifikuar, gjithashtu e kam rifreskuar certifikatën time sipas kërkesave edhe në 2024. Më pas, kur kam kërkuar që të qëndroj në këto trajnime, më është ndaluar kjo e drejtë për shkak të këtyre kërkesave që na ndalojnë ta rifreskojmë apo ta kemi certifikatën”, tha Suljoti.

Për të marrë statusin e trajnueses private, një nga kriteret është edhe marrja e certifikatës pranë Akademisë së Sigurisë.

Në një korrespondencë me e-mail, Magda shpreh gatishmërinë për t’u certifikuar në këtë akademi. Por, nga ana tjetër, është vetë Ministria e Brendshme që nuk i plotëson kushtet për të interesuarit, sepse Akademia e Sigurisë nuk ka ende një plan mësimor për këta ekspertë.

Sipas ixhinieres, zjarret në qendra tregtare apo hotele mund të parandalohen nëse njerëzit e punësuar marrin leksione se si duhet të veprojnë në raste zjarri. Por numri i vogël i ekspertëve zjarrfikës në vendin tonë bën që, shumë herë, trajnimet të realizohen vetëm në letër.

“Unë mendoj që ky numër i vogël nuk e përballon dot fluksin, pasi aktivitetet janë të shumta. Nuk kanë mundësi t’i përballojnë në kohë, fizikisht, e jo më të tjera”, tha ajo.

Zjarrfikësit nuk duhet të jenë heronjtë e vetëm në luftën kundër zjarrit. Ndërhyrja në kohë e njerëzve të trajnuar mund të parandalojë një tragjedi.

 

Top Channel