Anëtarësimi i Turqisë në Bashkimin Europian nuk është më një prioritet për Ankaranë: Me këtë deklaratë për Al Jazeera Arabic, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan sinjalizoi një hap prapa nga një objektiv që kishte qenë në qendër të politikës së tij gjatë viteve të para të qeverisjes.
“Europa nuk e ka pranuar Turqinë prej 53 vitesh dhe nuk duket se po e shqyrton një mundësi të tillë as në të ardhmen e afërt, por ne nuk e kemi mbyllur derën. Ende mendojmë për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Nëse na pranojnë, mirë. Nëse nuk na pranojnë, edhe më mirë. Bashkimi Europian nuk është prioriteti ynë”, ishte komenti i tij.
Erdogan përcolli më tej bindjen se nëse vendit të tij i mohohet anëtarësimi, humbësja do të jetë BE-ja dhe jo Turqia. Deklarata përbën një ndryshim nga qëndrimi i mëparshëm i presidentit turk. Në qershor 2024, gjatë një takimi me presidentin e Estonisë, Alar Karis, Erdoğan e kishte cilësuar anëtarësimin e plotë në BE si “objektiv strategjik” të Turqisë. Partia e tij, AKP, e cila erdhi në pushtet në vitin 2002, e vendosi fillimisht anëtarësimin në BE në qendër të programit të saj politik dhe ndërmori reforma që i hapën rrugën Turqisë për nisjen e negociatave të anëtarësimit në vitin 2005.
Turqia aplikoi për anëtarësim të plotë në vitin 1987, në vitin 1999 mori statusin e vendit kandidat, por negociatat e anëtarësimit kanë mbetur të bllokuara teksa në raportin e tij vitin e kaluar, Komisioni Europian përmendi përkeqësimin e standardeve demokratike, pavarësisë së gjyqësorit, shtetit të së drejtës dhe të drejtave themelore.
Top Channel