Komisioni Europian pret koordinim efektiv dhe konsultime mes komunave të prekura dhe institucioneve qendrore të Kosovës për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, që lidh Mitrovicën e Jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të Veriut, të banuar me shumicë serbe.

Zëdhënësja Anita Hipper, u shpreh se qëndrimi i bllokut për këtë cështje, është i qartë.

“Ajo që kërkojmë, gjithashtu, është që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt. Aktualisht, ura është e hapur për këmbësorë, por jo ende për qarkullimin e automjeteve. Ne e kemi bërë vlerësimin tonë, janë ndërmarrë hapa në këtë drejtim. dhe qëndrimi ynë mbetet se ende presim koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota, të cilat duhet të përmirësohen”, u shpreh zëdhënësja e KE-së Anita Hipper.

Deklarata e zëdhënëses vjen pasi KFOR njoftoi më herët se ka nisur “tranzicionin gradual” të pranisë së tij të përhershme në urë, edhe pse e theksoi se trupat mund të shtohen sërish nëse shdaqet ndonjë rrezik për sigurinë. Misioni për cdo rast, do të vazhdojë të mbajë prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut, si dhe në veri të Kosovës, në përgjithësi. Ura kryesore mbi Ibër u bllokua pas luftës së vitit 1999 dhe, ka qenë në rrjedhën e kohës, vatër e vazhdueshme e tensioneve etnike.

Top Channel