Shtëpia me gjethe josh turistët, mbi 34 mijë vizitorë në gjashtë muaj, të huajt dominojnë interesin për muzeun

17/08/2026 20:56

“Shtëpia me gjethe” është një ndër muzetë më të vizituar nga turistët, që janë kuriozë për të parë veprimtaritë e përgjimit dhe spiunazhit në godinën në qendër Tiranës gjatë diktaturës.

“Komunizmi është gjithashtu pjesë e historisë sonë në Poloni, ndaj është shumë interesante të jem këtu dhe të shoh se si ka qenë këtu, në Shqipëri. Madje nuk shoh ndonjë ndryshim. Ka qenë i njëjti sistem është për të ardhur keq që ishte kaq i përhapur në Evropë”, tha një vizitore nga Polonia.

“Është shumë interesante të shohësh historinë që nga Lufta e Parë Botërore e deri në ditët e sotme. Dhe mendoj se është e rëndësishme të vizitosh vende të tilla, për t’u kujtuar për historinë, sepse ajo që po përjetojmë në ditët e sotme, luftërat, po ndodh përsëri. Dhe jam gjithashtu pak i/e surprizuar, sepse kjo ka ndodhur jo më shumë se 100 vjet më parë, pra është histori shumë e afërt, shumë moderne, por historia përsëritet gjatë gjithë kohës. Dhe është shumë për të ardhur keq ta përjetosh këtë”, u shpreh një tjetër vizitore.

Godina e ndërtuar në 1931, ka shërbyer si klinikë mjekësore, por në vitin 1944, këtu u hap Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret, që funksionoi deri në 1991.

“Jam nga Gjermania, do të doja të kuptoja pak më shumë edhe për historinë, veçanërisht për periudhën komuniste, si merreshin në pyetje njerëzit dhe, në thelb, si kontrolloheshin. Sigurisht që ka disa ngjashmëri me historinë tonë në Gjermaninë Lindore dhe më intereson të di më shumë”, tha një zvizitor nga Gjermania.

“Jemi nga Franca dhe po udhëtojmë si familje dhe më pëlqeu shumë instalacioni i veçantë për fëmijët në anglisht. Mendoj se është shumë efikas dhe videot, së bashku me panelet e vogla informuese, ndihmojnë mjaft mirë për të kuptuar sistemin dhe idetë kryesore”, shprehu një vizitore nga Spanja.

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve, që u rrëfen të rinjve dhe të huajve një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit, numëron 34.832 vizitorë gjatë gjashtë muajve të parë të vitit.

“Në qershor kemi pasur rreth 8600 vizitorë, rreth 15% më shumë se një vit më parë. Shumica e vizitorëve janë nga Italia, Franca dhe Anglia. Për vizitorët është interesante pjesa e spiunazhit, shikojnë pajisjet dhe si ishte presioni komunist në Shqipëri. Muzeu është për të gjitha grupmoshat”, u shpreh Arbër Minxhozi, drejtor i Muzeut “Shtëpia me gjethe”.

Por, mes dhjetëra qindra vizitorëve, interesi nga shqiptarët është më i ulët se të huajt.

“Do nisim me programe edukimi gjatë shtatorit. Por përpiqemi t’i rikthejmë vizitorët shqiptarë. Kur ikin jashtë, i shohin shumë muzetë, por këtu nuk i shohin. Ndaj, po përpiqemi të zhvillojmë disa aktivitete që të vijnë ta shohin muzeun në këtë mënyrë të tërthortë dhe më pas të kthehen si vizitorë”, thotë Minxhozi.

Muzeu ofron informacione edhe për vizitorët e vegjel, por për ta bërë përvojën më të plotë, nevojiten përmirësim e infrastrukturës, veçanërisht audioguidës.

“Audioguidën po përpiqemi ta rregullojmë në disa gjuhë të botës. Duhet të punojmë me gjuhët, me narrativën përmes së cilës tregohet historia e muzeut”, përfundoi drejtori i muzeut.

Për publikun, eksplorimi i dhomave ku mbikqyreshin qytetarët, është një reflektim mbi rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe kujtesës historike.

 

 

Top Channel