SHBA gati të godasë ekonominë e Iranit, sekretari i Thesarit Scott Bessent: Brenda ditësh njoftojmë masat e papara ndaj tyre

17/08/2026 21:16

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po premton një fazë të re të presionit ekonomik ndaj Iranit, ndërsa sekretari i Thesarit, Scott Bessent, ka sugjeruar se Uashingtoni ditëve të ardhshme do të njoftojë masa të papara më parë për izolimin ekonomik të një vendi.

Se cilat do të jenë këto masa mbetet e paqartë. Por, ekspertë me të cilët foli Radio Evropa e Lirë thanë se një veprim vërtet i paprecedentë mund të nënkuptojë kalimin përtej një raundi tjetër sanksionesh ndaj kompanive iraniane dhe goditjen e rrjeteve ndërkombëtare financiare dhe tregtare që i kanë mundësuar Teheranit të vazhdojë të shesë naftë, pavarësisht dekadave të presionit amerikan.

Kjo mund të përfshijë bankat kineze, pagesat në juan për naftën iraniane, sistemet alternative të pagesave, si dhe kompanitë e transportit, sigurimit, rafinimit dhe ndërmjetësit financiarë që qëndrojnë pas këtij tregtimi.

“Mbani sytë këtu për më shumë njoftime javën e ardhshme, sepse do të zbatojmë masa siç nuk janë parë kurrë më parë në historinë e izolimit ekonomik të një vendi”, tha Bessent, duke shtuar se masat do të jenë pjesë e një “goditjeje me dy hapa”, së bashku me vazhdimin e bllokadës së porteve të Iranit.

Shtëpia e Bardhë ka dhënë pak detaje. E pyetur për masat e pritshme, zëdhënësja Karoline Leavitt tha se “kemi në dispozicion mjete të tjera që mund t’i përdorim për të vazhduar ndëshkimin e Iranit dhe paralizimin e ekonomisë së tij, e cila tashmë ndodhet në një gjendje shumë të dobët”.

Administrata thotë se Irani po përballet me inflacion në rritje, të ardhura më të ulëta nga energjia, varfëri dhe qasje të kufizuar në valutë të huaj. Një vlerësim i Pentagonit, i cituar nga The Hill, konstatoi se faza e parë e bllokadës amerikane, nga 13 prilli deri më 18 qershor, i kushtoi Iranit rreth 4.8 miliardë dollarë të ardhura nga nafta.

 

Top Channel