Skadimi i afatit të armëpushimit, paralajmëron Trump: Irani nuk mund të ketë armë bërthamore në asnjë mënyrë apo formë
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të mëdha dhe rrëshqitje dheu në provincën Gyeongsang të Koresë së Jugut, duke lënë një person të vdekur dhe dy të tjerë të plagosur.
Qyteti i Geoje është përfshirë nga reshje të jashtëzakonshme. Brenda një ore u regjistruan 124.5 milimetra shi, sasia më e lartë e regjistruar në qytet që nga nisja e matjeve meteorologjike në vitin 1972.
Gjatë natës, nga e diela deri të hënën, në Geoje ranë më shumë se 400 milimetra shi. Situata u përkeqësua nga rrëshqitjet e dheut. Një masiv dheu goditi një pallat në qytetin juglindor, duke shkatërruar katin e parë të ndërtesës.
Ekipet e shpëtimit nxorën tre persona nga ndërtesa, por njëri prej tyre nuk mundi të mbijetonte. Dy të tjerët u plagosën.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë makina të mbuluara nga uji, ndërsa rrugët e qytetit janë përfshirë nga rrjedha të fuqishme uji. Autoritetet kanë pezulluar transportin me autobusë dhe mbledhjen e mbeturinave në disa zona për shkak të rrugëve të përmbytura dhe të dëmtuara.

Disa prej atraksioneve turistike të qytetit janë mbyllur gjithashtu. Banorëve iu është kërkuar të shmangin lëvizjet me automjete, të qëndrojnë larg lumenjve dhe zonave të rrezikuara dhe të evakuohen në vende të sigurta nëse situata përkeqësohet.
Moti ekstrem ka prekur edhe vende të tjera të Azisë Lindore dhe Juglindore. Reshje të dendura dhe stuhi kanë shkaktuar përmbytje dhe dëme të mëdha në Kinë, Japoni dhe Filipine.
Në Japoni, reshjet e jashtëzakonshme të ditëve të fundit kanë shkaktuar të paktën 10 viktima dhe kanë bllokuar mijëra persona në aeroportin Narita. Përmbytjet kanë lënë gjithashtu më shumë se 20 mijë familje pa energji elektrike.
Ekspertët e motit paralajmërojnë se sezoni i tajfuneve mund të jetë më intensiv se zakonisht këtë vit.
Top Channel