Tre të vdekur nga ethet e Nilit, Konfirmohen 35 raste të reja në Maqedoninë e Veriut, 6 në gjendje kritike
Numrat personalë të telefonave celularë të tre ministrave britanikë, përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes, Wes Streeting, janë gjetur të publikuar në internet së bashku me emrat e tyre, sipas një raportimi të Politico.
Media online zbuloi tre numra telefoni gjatë shqyrtimit të një liste të anëtarëve të kabinetit britanik. Përveç Streeting, në listë rezultonin edhe numri i Sekretarit të Drejtësisë, Alex Norris, dhe ai i Sekretarit të Irlandës së Veriut, Chris Bryant.
Sipas raportimit, të tre numrat janë fshirë ose pritet të fshihen së shpejti nga interneti.
Zbulimi vjen pak kohë pasi Politico raportoi se kryeministri Andy Burnham kishte rënë viktimë e një mashtrimi përmes mesazheve. Burnham kishte komunikuar me një person të panjohur që pretendonte të ishte Susie Wiles, shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë.
Kryeministri britanik dyshoi se komunikimi nuk ishte i ligjshëm dhe vendosi t’i jepte fund bisedës. Downing Street konfirmoi se mes tij dhe personit të panjohur ishin shkëmbyer vetëm “disa mesazhe pa rëndësi”.
Megjithatë, ende nuk dihet se si personi që pretendonte të ishte Wiles kishte siguruar numrin personal të telefonit të Burnham.
Ministrat britanikë pajisen me telefona dhe sisteme të sigurta komunikimi për kryerjen e detyrave zyrtare, veçanërisht ata që mbajnë poste të ndjeshme si Sekretari i Mbrojtjes. Ata janë të detyruar t’i përdorin këto pajisje për komunikimet që lidhen me detyrat e tyre dhe nuk duhet të përdorin numrat personalë për çështje zyrtare.
Top Channel