Përmbyset anija me dhjetëra emigrantë në Libi, humbin jetën 7 persona, 2 të tjerë në gjendje kritike

17/08/2026 19:33

Shtatë emigrantë u gjetën të vdekur sot pasi varka e tyre u përmbys në brigjet e Libisë, ndërsa 50 të tjerë u shpëtuan, dy prej të cilëve mendohet se janë në gjendje kritike, njoftoi OJQ-ja italiane ‘Emergence’.

“Ekipi ynë gjeti nëntë persona në varkë. Për shtatë prej tyre, nuk mund të bënim asgjë. Dy të tjerët janë në gjendje kritike, pasi kishin pësuar asfiksi”, tha organizata joqeveritare në një deklaratë.

Varka e vogël prej druri e mbingarkuar u vu re këtë mëngjes rreth orës 6:00, dhe anija e OJQ-së iu afrua dhe shpëtoi të mbijetuarit nën mbikëqyrjen e një varke patrullimi libiane.

Emigrantët, 45 burra dhe pesë gra, përfshirë 29 të mitur të pashoqëruar, pretenduan se ishin nga Egjipti dhe Somalia.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e partisë së ekstremit të djathtë Vëllezërit e Italisë, u zgjodh në vitin 2022 me një premtim për të luftuar emigracionin e parregullt. Qeveria e saj ka nënshkruar marrëveshje me Tunizinë dhe Libinë për të kufizuar largimin e migrantëve dhe ua ka vështirësuar punën OJQ-ve humanitare.

Sipas Ministrisë së Brendshme, 17,800 emigrantë kanë mbërritur në Itali këtë vit që nga 1 janari, krahasuar me 39,116 gjatë së njëjtës periudhë në vitin 2025.

Top Channel