Përmbyset anija me dhjetëra emigrantë në Libi, humbin jetën 7 persona, 2 të tjerë në gjendje kritike
Një 33-vjeçar me origjinë nga Eritrea, Brooke Dessallier, është shpallur fajtor për përdhunimin e një të moshuare jashtë një kishe në veriperëndim të Londrës.
Autoritetet britanike e kanë përshkruar të dënuarin si një person të rrezikshëm, i cili shënjestroi një viktimë të pambrojtur dhe të cenueshme.
Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës së 23 korrikut të vitit të kaluar, jashtë Kishës së Shën Gjonit në Harrow. Sipas provave të paraqitura në Gjykatën e Kurorës në Harrow, 33-vjeçari e ka larguar viktimën, e cila ishte shumë e dehur, nga një stol dhe e ka çuar pas një gardhi, në një zonë me bar, ku e ka sulmuar seksualisht.
Sulmi ka zgjatur rreth 20 minuta dhe është ndërprerë pas ndërhyrjes së një gruaje, e cila e ka parë ngjarjen nga dritarja e banesës së saj dhe ka njoftuar menjëherë policinë.
Një nga provat kryesore në gjyq ishin pamjet e kamerave të sigurisë të këshillit lokal. Prokurori Simon Shannon tha se në video shihej i pandehuri duke tërhequr viktimën nga stoli drejt zonës me bar.
Sipas prokurorisë, ai e ndërpriste përkohësisht sulmin sa herë që një kalimtar afrohej ose kalonte pranë vendit të ngjarjes.
Kur policia mbërriti në kishë, e gjeti 33-vjeçarin pas një tabele të kishës, ndërsa viktima ndodhej e shtrirë në tokë.
Gjatë marrjes në pyetje nga policia, Dessallier, i cili përdori një përkthyes gjatë procesit gjyqësor, fillimisht pretendoi se po përpiqej ta ndihmonte të moshuarën pasi e kishte parë të dehur.
Megjithatë, pasi oficerët i treguan pamjet e kamerave të sigurisë, ai ndërpreu intervistën, u konsultua me avokatin dhe më pas refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të tjera. Ai nuk dëshmoi as gjatë procesit gjyqësor.
Mbrojtja argumentoi para jurisë se nuk kishte prova të mjaftueshme për të vërtetuar përdhunimin dhe u kërkoi anëtarëve të jurisë të mos ndikohej nga një reagim emocional ndaj çështjes.
Juria e shpalli 33-vjeçarin fajtor. Sipas raportimeve, ai qëndroi pa shfaqur emocione edhe kur pamjet e sulmit u shfaqën në sallën e gjyqit.
Pas vendimit, drejtuesi i hetimit e përshkroi atë si një “shkelës të rrezikshëm”, duke theksuar se kishte shënjestruar një të moshuar, të pambrojtur dhe të cenueshëm.
Ai vlerësoi gjithashtu reagimin e menjëhershëm të qytetarëve, i cili bëri të mundur arrestimin e të dyshuarit në vendngjarje.
Policia britanike u ka bërë thirrje ndërkohë personave që mund të kenë qenë viktima të sulmeve të ngjashme seksuale që të kontaktojnë autoritetet, duke garantuar mbështetje dhe trajtim të kujdesshëm të rasteve të tyre.
Top Channel