Panik në tempullin hindu, 7 të vdekur dhe 19 të plagosur në Indi

17/08/2026 10:00

Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën dhe 19 të tjerë janë plagosur në një rrëmujë të shkaktuar nga paniku në një tempull hindu në shtetin Bihar të Indisë.

Ngjarja ndodhi në tempullin Ashok Dham, në distriktin Lakisharai, ku ishin mbledhur një numër i madh besimtarësh për t’i bërë homazhe perëndisë Shiva.

Sipas autoriteteve, turma u përfshi nga paniku pas përhapjes së thashethemeve se një shtyllë elektrike ishte rrëzuar mbi besimtarët. Në përpjekje për t’u larguar nga zona, turma u shty dhe situata përfundoi në një rrëmujë tragjike. Shtatë persona humbën jetën, ndërsa 19 të tjerë u plagosën dhe u dërguan në spital.

Autoritetet lokale thanë se situata tashmë është nën kontroll. Kreu i qeverisë së Biharit e cilësoi ngjarjen si tragjike dhe njoftoi se familjet e viktimave do të marrin një kompensim prej 400 mijë rupish, rreth 3,600 euro.

Rrëmuja të tilla janë të shpeshta në Indi gjatë tubimeve të mëdha fetare dhe politike, ku grumbullimet masive dhe mungesa e masave të mjaftueshme të sigurisë mund të çojnë në pasoja tragjike.

Vetëm muajt e fundit, incidente të ngjashme kanë shkaktuar viktima në disa shtete indiane. Në vitin 2024, rreth 120 persona humbën jetën në një tubim fetar në Uttar Pradesh.

Top Channel