Mbreti 89-vjeçar i Norvegjisë shtrohet në spital pas problemeve shëndetësore, Pallati Mbretëror: Do të qëndrojë dy javë larg detyrave zyrtare

17/08/2026 23:00

Mbreti Harald i Norvegjisë është shtruar në spital të hënën, pas një ekzaminimi mjekësor, njoftoi Pallati Mbretëror. Monarkut 89-vjeçar i janë dhënë dy javë leje mjekësore për shkak të problemeve shëndetësore.

Harald, monarku me shërbimin më të gjatë në Evropë, vuan nga anemia hemolitike, një sëmundje e gjakut që shkakton shkatërrimin e parakohshëm të qelizave të kuqe të gjakut. Gjendja mund të shkaktojë lodhje, zbehje dhe vështirësi në frymëmarrje.

Sipas Pallatit, mbreti ka marrë trajtim me kortizon gjatë javëve të fundit për të luftuar sëmundjen. Trajtimi ka shkaktuar mbajtje të lëngjeve në trup, çka ka bërë të nevojshme shtrimin e tij në spital.

Gjatë periudhës së lejes mjekësore të mbretit, detyrat e tij do të ushtrohen nga djali i tij, Princi i Kurorës Haakon, i cili do të shërbejë si regjent.

Harald u ngjit në fron në vitin 1991 dhe prej vitesh ka përballuar probleme të ndryshme shëndetësore. Për shkak të tyre, atij i është vendosur një stimulues kardiak dhe ka kufizuar disa prej angazhimeve të tij zyrtare.

Pavarësisht problemeve shëndetësore, mbreti Harald ka përjashtuar mundësinë e abdikimit. Ai ka deklaruar më herët se ka bërë një betim për të qëndruar në fron për gjithë jetën përpara Parlamentit norvegjez.

Top Channel