Kushner në Izrael për paqen/ Pas takimit me Hamasin, diskuton me Netanyahun planin për Gazën

17/08/2026 12:22

I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, Jared Kushner, ka mbërritur në Izrael ku pritet të takohet me kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Vizita vjen pas bisedimeve të rralla të Kushnerit me Hamasin, për të diskutuar zbatimin e planit të paqes për Gazën të mbështetur nga SHBA-ja. Muajin e kaluar, Bordi i Paqes i drejtuar nga Trump, njoftoi një marrëveshje për çarmatimin e plotë të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura në Gaza. Izraeli e ka kundërshtuar planin 15-pikësh të presidentit amerikan, i cili parashikon gjithashtu tërheqjen e trupave izraelite dhe rindërtimin e Gazës nën një administratë të re civile palestineze.

Tetë vende myslimane e dënuan refuzimin e planit nga ana e shtetit hebre. Sipas një zyrtari palestinez, Kushner u takua të dielën në Egjipt me një delegacion të Hamasit të drejtuar nga lideri i ri i grupit, Khalil al-Hayya.

Hamasi thotë BBC, u bëri thirrje ndërmjetësve dhe Bordit të Paqes, që ta detyrojnë Izraelin të miratojë planin për hapat e ardhshëm. Megjithatë, Netanyahu përballet me zgjedhje të vështira në tetor dhe me presion nga koalicioni i tij qeverisës, ku bëjnë pjesë ministra që kërkojnë një qëndrim më të ashpër ndaj Gazës. Edhe shumë izraelitë janë skeptikë nëse Hamasi është realisht i gatshëm të çarmatoset.

Takimi i Kushnerit me al-Hayya konsiderohet kontakti i nivelit më të lartë mes palëve që nga marrëveshja e armëpushimit në Gaza vitin e kaluar. Në bisedime morën pjesë edhe përfaqësues të Board of Peace, Egjiptit, Katarit dhe Turqisë, vende që kanë ndërmjetësuar në përpjekjet për paqe.

Sipas raportimeve, diskutimet u përqendruan te çarmatimi i Hamasit, tërheqja e trupave izraelite dhe ndihma humanitare, por deri tani nuk është publikuar asnjë deklaratë zyrtare për rezultatet e takimit.

Top Channel