Kaos në aeroportin e Mynihut, Boeing 787 detyrohet të kthehet pas ngritjes për shkak të një problemi teknik

17/08/2026 17:11

Kaosi përfshiu Aeroportin e Mynihut, pasi një Boeing 787 i Vietnam Airlines, me destinacion Hanoi, u detyrua të rikthehej në aeroport pak pas ngritjes për shkak të një problemi teknik.

Sipas të dhënave të Flightradar24, avioni qëndroi më shumë se dy orë në ajër, duke kryer manovra në formë rrethi për të djegur karburant dhe për të ulur peshën përpara se të rikthehej për ulje.

Dyshimet janë se avioni mund të ketë tejkaluar pistën gjatë ngritjes. Në një video të transmetuar nga ABC News, Boeing 787 shihet duke u ngritur nga pista, ndërsa pas tij ngrihet një re e madhe pluhuri.

Vietnam Airlines konfirmoi se fluturimi u kthye në Mynih pas ngritjes për shkak të një “problemi teknik”, por nuk dha detaje të mëtejshme mbi natyrën e defektit.

Sipas kompanisë ajrore, ekuipazhi ndoqi të gjitha procedurat e nevojshme dhe avioni u ul në mënyrë të sigurt në Aeroportin e Mynihut. “Pasagjerët dhe ekuipazhi i kabinës janë të sigurt”, deklaroi Vietnam Airlines.

Megjithatë, incidenti shkaktoi probleme edhe në operacionet e aeroportit pas uljes së avionit.

Aeroporti i Mynihut njoftoi se Boeing 787 nuk ishte në gjendje të largohej nga pista veriore me fuqinë e vet dhe mbeti i palëvizshëm në të.

Për këtë arsye, pista veriore u mbyll përkohësisht, ndërsa trafiku ajror u devijua drejt pistës jugore.

Vietnam Airlines bëri të ditur se është në konsultim me autoritetet kompetente dhe organet përkatëse për kryerjen e inspektimit teknik të avionit.

Kompania pritet të japë një përditësim të mëtejshëm pasi të përfundojë inspektimi i Boeing 787 dhe të përcaktohen hapat e mëtejshëm operacionalë.

Top Channel