Jared Kushner takohet me presidentin egjiptian, në fokus zbatimi i planit të Trump për Gazën
Një uragan i fuqishëm ka përfshirë Hawain, duke shkaktuar përmbytje, rrëshqitje dheu dhe dëme të shumta.
Sipas BBC uragani “Lala” kaloi pranë ishullit Big Island, ndërkohë autoritetet kanë paralajmëruar banorët që të tregojnë kujdes, ndërsa reshjet e dendura dhe erërat e forta pritet të vazhdojnë.
Në Big Island, përmbytjet kanë përfshirë të paktën dy zona dhe disa banesa jenë marrë nga uji. Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë nisur operacionet për të gjetur banorët që mund të jenë prekur, ndërsa puna është vështirësuar nga ujërat e rrëmbyeshëm, mbeturinat dhe gurët e mëdhenj.
Uragani “Lala” arriti fuqinë e kategorisë së parë të shtunën, me erëra që shkuan deri në 147 km/orë. Në disa zona priten deri në 89 centimetra reshje shiu, duke rritur rrezikun për përmbytje dhe rrëshqitje dheu.
Guvernatori i Hawait, Josh Green, njoftoi se një person humbi jetën në një aksident automobilistik të lidhur me kushtet e këqija të motit në Big Island. Ndërkohë, rrugë të shumta janë dëmtuar ose bllokuar nga uji, rrëshqitjet e dheut dhe pemët e rrëzuara.
Pamjet e publikuara nga Departamenti i Transportit të Hawait tregojnë rrugë të mbuluara nga ujërat e rrëmbyeshëm. Guvernatori Green u ka bërë thirrje banorëve të shmangin lëvizjet në rrugë dhe të përgatiten për reshje jashtëzakonisht të dendura.
Stuhia ka shkaktuar probleme edhe në transportin ajror. Rreth 190 fluturime janë shtyrë, ndërsa në aeroportin kryesor të Big Island, Ellison Onizuka Kona International, rreth 40% e fluturimeve u anuluan të shtunën. Në aeroportin Hilo International, rreth 80% e fluturimeve u anuluan.
Shërbimi Kombëtar i Motit ka dhënë paralajmërimet më të forta për pjesën juglindore të Big Island, e cila është më afër qendrës së uraganit. Autoritetet paralajmërojnë se lumenjtë mund të dalin me shpejtësi nga shtrati dhe se mund të nevojiten evakuime dhe operacione të shumta shpëtimi.
Ndërkohë raportohet se rreth 115 mijë familje në Hawai kanë mbetur mbetur pa energji elektrike, ndërsa tre spitale kanë humbur furnizimin me energji, por kanë vijuar funksionimin përmes gjeneratorëve rezervë.
Edhe ishulli Maui është prekur nga moti i keq, ku disa banorë kanë mbetur pa ujë. Ekipet e emergjencës janë detyruar të ndërpresin punën në disa zona për shkak të reshjeve dhe pemëve të rrëzuara.
“Lala” nuk goditi drejtpërdrejt Big Island, por kaloi rreth 48 kilometra në jug të ishullit.
Paralajmërimet për stuhi tropikale janë në fuqi për të tetë ishujt kryesorë të Hawait, ndërsa autoritetet kanë hapur qendra strehimi për banorët që kanë nevojë të largohen nga banesat e tyre.
Megjithëse “Lala” është një uragan i kategorisë së parë, niveli më i ulët në shkallën nga 1 deri në 5, autoritetet paralajmërojnë se reshjet e jashtëzakonshme mund të shkaktojnë përmbytje të rënda dhe rrëshqitje dheu.
Top Channel