15 artistë nga 9 vende të ndryshme të botës janë bërë bashkë në fshatin Luzat të Tepelenës përmes “Luz Art”, duke sjellë artin bashkëkohor në një hapësirë të lidhur ngushtë me historinë dhe traditën e zonës.
Artistë nga Shqipëria, Australia, Çekia, Hungaria, Italia, Kosova, Rumania, Siria dhe Ukraina janë njohur nga afër me jetën, historinë dhe kujtesën e komunitetit të Luzatit, për t’i interpretuar më pas përmes krijimtarisë së tyre artistike.
Ekspozita është çelur në ambientet e shkollës “Seit Demiri” në Luzat, ku hapësirat e saj janë kthyer në një galeri të artit bashkëkohor.
Përmes qëndrimit dhe krijimtarisë së artistëve në Gjirokastër dhe Luzat, “Luz Art” synon të kontribuojë në rigjallërimin e trashëgimisë kulturore dhe memories lokale, duke sjellë një tjetër mënyrë për të rrëfyer historinë dhe identitetin e zonës.
Krahas ekspozitës së artit bashkëkohor, aktiviteti u shoqërua edhe me një koncert me këngëtarë dhe grupe popullore, duke ndërthurur krijimtarinë moderne me muzikën dhe traditën shqiptare.
“Luz Art” i ka dhënë kështu një tjetër dimension jetës kulturore të Luzatit, duke sjellë artistë nga vende të ndryshme të botës.
Top Channel