Rrezikohet kontrolli i Kongresit, Trump mobilizon miliona dollarë për republikanët. Plani për përmbysjen e situatës
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka deklaruar se është “krenar” për marrëdhëniet e ngushta të vendit të tij me Rusinë, duke riafirmuar mbështetjen për luftën e Moskës kundër Ukrainës.
Në një letër drejtuar presidentit rus Vladimir Putin, Kim shprehu bindjen se marrëdhëniet mes Phenianit dhe Moskës do të vazhdojnë të forcohen. Mesazhi u publikua nga agjencia zyrtare e lajmeve të Koresë së Veriut, KCNA.
“Jam gjithmonë krenar që mund të pres me padurim një të ardhme edhe më të ndritur për marrëdhëniet dypalëshe”, thuhet në mesazhin e Kim, i cili theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve bazohen në “luftën e përbashkët për drejtësi” dhe në traditat e miqësisë mes tyre.
Kim Jong Un riafirmoi gjithashtu mbështetjen e tij për luftën e Rusisë kundër Ukrainës, duke shprehur besimin se Moska do të triumfojë nën “udhëheqjen e mençur” të Vladimir Putinit.
Letra e Kim ishte një përgjigje ndaj një mesazhi të dërguar më herët nga Putin, me rastin e 81-vjetorit të çlirimit të Koresë së Veriut nga pushtimi japonez. Presidenti rus e përshkroi marrëdhënien mes dy vendeve si “të nivelit të lartë” dhe “të pashembullt”, duke iu referuar gjithashtu një “partneriteti strategjik të plotë”.
Rusia dhe Koreja e Veriut i kanë forcuar ndjeshëm lidhjet që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022. Pheniani është përfshirë drejtpërdrejt në konflikt, duke dërguar trupa dhe armë në mbështetje të forcave ruse, veçanërisht në rajonin e Kurskut.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar së fundmi Korenë e Veriut se po përgatitet të dërgojë edhe 30,000 deri në 50,000 trupa të tjera për të mbështetur ushtrinë ruse. Zelensky nuk ka bërë publike burimin e këtyre shifrave dhe as një afat kohor për një dislokim të mundshëm.
Presidenti ukrainas ka deklaruar gjithashtu se Rusia ka përdorur raketa balistike të prodhuara në Korenë e Veriut gjatë sulmeve vdekjeprurëse ndaj territorit ukrainas.
Në këtë kuadër, Zelensky i ka kërkuar Koresë së Jugut të rrisë bashkëpunimin me Ukrainën, veçanërisht për sistemet e mbrojtjes ajrore. Deri tani, Seuli nuk i është përgjigjur zyrtarisht kësaj kërkese.
Top Channel