Jo vetëm takim me presidentin egjiptian, Kushner bisedime të drejtpërdrejta me udhëheqësin e Hamasit rreth planit të Trump për Gazën
Një incident ka ndodhur ditën e sotme në aeroportin e Malpensës në Milano, ku një karrocë për transportin e bagazheve ka marrë flakë në platformën e Terminalit 1.
Sipas mediave italiane dyshimet e para lidhen me mbinxehjen e një baterie litiumi që ndodhej në njërën prej valixheve.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00, ndërsa karroca, në pronësi të kompanisë së shërbimeve tokësore Aviapartner, po përdorej për ngarkimin e bagazheve në pjesën e poshtme të një avioni të British Airways me destinacion Londrën.
Nga karroca u ngrit papritur një sasi e madhe tymi, duke alarmuar menjëherë stafin e aeroportit. Zjarrfikësit e aeroportit mbërritën në vendngjarje dhe arritën t’i vinin flakët nën kontroll brenda pak minutash.
Zjarri fatmirësisht mbeti i kufizuar vetëm në karrocë dhe në bagazhe, pa u përhapur drejt avionit apo strukturave përreth.
Dyshohet se temperaturat e larta të ditëve të fundit mund të kenë ndikuar në mbinxehjen e baterisë.
Pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve, aktiviteti i aeroportit të Malpensës nuk u ndërpre dhe trafiku ajror vijoi normalisht.
Vonesa e vetme u regjistrua në fluturimin e British Airways drejt Londrës. Nisja, e planifikuar fillimisht pak para orës 14:00, u shty me rreth dy orë për shkak të kontrolleve të sigurisë.
Top Channel