U shpëtua pas 37 orësh e bllokuar nën rrënoja, ndërron jetë 32-vjeçarja në Kolumbi

15/08/2026 21:03

Gruaja që kaloi gati 37 orë e bllokuar nën rrënojat e një ndërtese që u shemb nga tërmeti në Pereira të Kolumbisë, përpara se të nxirrej gjallë të martën, ka ndërruar jetë sot në spital, tha familja e saj për AFP.

Shpëtimi i 32-vjeçares Daniela Largo ishte bërë një simbol shprese për kolumbianët.

Ajo u nxor nga rrënojat me barelë nën brohoritje dhe duartrokitje, një pamje që preku vendin e shkatërruar, i cili ende po kërkon të paktën 400 persona të zhdukur, sipas agjencisë së menaxhimit të fatkeqësive.

Ajo la pas një djalë 12-vjeçar.

Tërmeti me magnitudë 7.4 ballë, më i forti në Kolumbi këtë shekull, ka lënë të paktën 294 të vdekur dhe gati 4,000 të plagosur, sipas numrit të fundit të përditësuar nga autoritetet.

Pereira, së bashku me Calin, është një nga qytetet më të goditura.

Në zonat më të goditura, ekipet e shpëtimit po përdorin makineri të rënda për të hequr copa çatish dhe muresh, gjashtë ditë pas tërmetit.

Disa përqafojnë njerëz për të lehtësuar dhimbjen e tragjedisë, ndërsa të tjerë organizojnë mbledhje fondesh për viktimat që janë mbledhur në strehimore.

“Do të doja që e gjithë kjo të mbaronte shpejt”, tha Sandra Milena Perez, nëna e Daniela Largos, në një bisedë telefonike me Agence France-Presse.

Top Channel