Liverpooli zyrtarisht me pronar të ri, miliarderi Jeff Bezos bëhet aksioner i “The Reds”

15/08/2026 09:50

Siç ishte raportuar edhe javë më parë, Jeff Bezos dhe një grup sipërmarrësish të njohur ndërkombëtarisht kanë blerë një pjesë të aksioneve të Liverpoolit.

Mes investitorëve të rinj janë edhe Eduardo Saverin, bashkëthemelues i Facebook, si dhe familja Mittal. Ata kanë investuar së bashku përmes një konsorciumi, ndërsa Fenëay Sports Group (FSG), pronar aktual i klubit, mbetet aksionari kryesor dhe ruan kontrollin operacional të Liverpoolit.

Sipas njoftimit zyrtar të klubit, FSG ka arritur një marrëveshje për shitjen e një pjese minoritare të aksioneve te kompania 1892 Holdings, një konsorcium i drejtuar dhe menaxhuar nga Amit Bhatia.

Në këtë grup bëjnë pjesë investime nga vetë Amit Bhatia dhe familja Mittal, K5 Sports, fond global ku Jeff Bezos është investitori kryesor, si dhe EE Capital, zyra familjare e Elaine dhe Eduardo Saverin.

Sipas Liverpoolit, investimi synon të mbështesë ambiciet e klubit për rritje afatgjatë, duke sjellë së bashku ekspertizë nga sektorët e sportit, teknologjisë, biznesit dhe investimeve.

Partnerët e rinj do të bashkëpunojnë me FSG dhe drejtuesit e klubit për të identifikuar mundësi të reja që mund të ndihmojnë Liverpoolin të përmbushë objektivat e tij, si në fushë ashtu edhe jashtë saj.

Megjithatë, FSG do të vazhdojë të ketë shumicën e aksioneve dhe kontrollin e Liverpoolit.

Mike Gordon, presidenti i FSG, u shpreh i kënaqur me marrëveshjen dhe theksoi se strategjia e klubit ka qenë gjithmonë e orientuar drejt një perspektive afatgjatë.

“Liverpooli është ndërtuar gjithmonë duke menduar përtej një sezoni të vetëm dhe duke marrë vendime në interes të klubit në planin afatgjatë”, deklaroi Gordon.

Ai shtoi se Amit Bhatia dhe konsorciumi i ri ndajnë të njëjtën filozofi me FSG dhe se eksperienca e tyre do të jetë një shtesë e rëndësishme për klubin.

Edhe Amit Bhatia, në emër të 1892 Holdings, ka komentuar marrëveshjen.

“Jemi jashtëzakonisht krenarë që investojmë në Liverpool Football Club dhe që e bëjmë këtë së bashku me FSG. Kemi respektin dhe admirimin më të madh për FSG si pronarë dhe për gjithçka që kanë arritur në Anfield”, u shpreh ai.

Bhatia e cilësoi një “privilegj të jashtëzakonshëm” mundësinë për t’u bërë partner i një prej klubeve më të mëdha në botë.

“Po e bëjmë këtë investim sepse besojmë thellësisht te Liverpooli dhe te drejtuesit e tij. Mezi presim të mbështesim suksesin e klubit në vitet e ardhshme”, shtoi ai.

Marrëveshja është ende subjekt i miratimeve rregullatore dhe procedurave të tjera të zakonshme për përfundimin e një transaksioni të tillë.

Pra, Jeff Bezos nuk bëhet pronari i Liverpoolit, por pjesë e një grupi të fuqishëm investitorësh që tashmë zotëron një pakicë të aksioneve të klubit, ndërsa FSG mbetet në kontrollin e “Reds”.

Top Channel