Kulmi i sezonit turistik në vend, fluksi i shtuar i automjeteve  ngadalëson qarkullimin në aksin Tunel-Elbasan

15/08/2026 16:55

Një fluks i shtuar automjetesh është evidentuar ditën e sotme në drejtimin Tunel–Elbasan, në një prej ditëve me lëvizje të dendura në rrugët e vendit për shkak të sezonit turistik dhe kthimit të emigrantëve pas pushimeve.

Numri i automjeteve në qarkullim ka qenë i lartë, duke sjellë ngadalësim të lëvizjes në segmente të caktuara, ndërsa situata ka kërkuar vëmendje të shtuar nga drejtuesit e mjeteve.

Megjithatë, ndryshe nga informacionet për një bllokim të plotë të qarkullimit, segmenti Shijon–Bradashesh nuk është bllokuar në asnjë moment. Automjetet kanë vijuar të lëvizin, edhe pse fluksi i lartë ka sjellë ritëm më të ngadaltë të qarkullimit.

Aksi Tunel–Elbasan është një prej segmenteve të rëndësishme të qarkullimit që lidh kryeqytetin me Elbasanin dhe më tej me juglindjen e vendit. Gjatë muajve të verës, ky aks përballet me një rritje të ndjeshme të numrit të automjeteve.

Situata është veçanërisht e ngarkuar në fundjavë, kur në rrugë qarkullojnë njëkohësisht emigrantë që kthehen drejt vendeve ku jetojnë, pushues që udhëtojnë drejt destinacioneve turistike dhe qytetarë që lëvizin drejt zonave të ndryshme të vendit.

Fluksi i lartë i kësaj fundjave pritet të vijojë edhe në orët në vazhdim, ndërsa akset kryesore që lidhin Elbasanin me Tiranën dhe qytetet e tjera mund të përballen me ngarkesë të shtuar.

Top Channel