“Pësoi kolaps në fushë dhe u ‘ringjall’ në morg”/ Reagon klubi i futbollistit nigerian: Nuk është e vërtet, ai ka vdekur

14/08/2026 13:51

Një ngjarje e rëndë ka tronditur futbollin në Nigeri, ku futbollisti Chinedu Ozor ka humbur jetën në moshën 27-vjeçare, pasi pësoi një kolaps gjatë një ndeshjeje.

Ozor po luante për Katsina United në një ndeshje miqësore ndaj Niger Tornadoes, të zhvilluar të martën, më 11 gusht, në stadiumin Muhammad Dikko në Katsina, në veri të Nigerisë.

Sipas një zyrtari të klubit, futbollisti u rrëzua në fushë vetëm nëntë minuta pas nisjes së ndeshjes. Ai u transportua për ndihmë mjekësore në K-Dara Specialist Hospital, ku më vonë u konfirmua edhe vdekja e tij..

Pas vdekjes së Ozor, disa media lokale dhe ndërkombëtare raportuan se futbollisti kishte shfaqur shenja jete në morg.

Sipas këtyre raportimeve, një punonjës i morgut kishte vënë re lëvizje të duarve të tij dhe kishte njoftuar kolegët. Më pas, Ozor ishte rikthyer në spital dhe i ishte dhënë oksigjen.

Megjithatë, Katsina United i ka mohuar kategorikisht këto raportime, duke sqaruar se futbollisti nuk është rikthyer në jetë.

“E kemi parë lajmin se Chinedu më vonë ka rifituar vetëdijen ose ‘është rikthyer në jetë’. E kuptojmë se njerëzit dëshironin me dëshpërim që kjo të ishte e vërtetë. Të gjithë e dëshironim. Por fatkeqësisht, këto raportime nuk janë të vërteta”, deklaroi klubi.

Katsina United u bëri thirrje të gjithëve që të shmangin spekulimet dhe të respektojnë dhimbjen e familjes dhe shokëve të skuadrës.

Edhe guvernatori i shtetit Katsina, Malam Dikko Umaru Radda, shprehu ngushëllimet për familjen e 27-vjeçarit, duke e cilësuar veçanërisht të dhimbshme humbjen e një futbollisti të ri që kishte përpara një karrierë premtuese.

Top Channel