Te Interi rikthehet qetësia, zgjidhet çështja e transferimit të mesfushorit italian pas bllokimit nga Serie A
Milani po përgatitet për një ndërhyrje të rëndësishme në merkato, me Ruben Amorim që ka bërë të qartë nevojat e tij për skuadrën.
Trajneri portugez ka zhvilluar një takim me Gerry Cardinale, ku kanë qenë të pranishëm edhe drejtuesit e merkatos Hendrik Almstadt, Bobby Gardiner dhe Tiago Estevao.
Sipas raportimeve nga Italia, Amorim pret të paktën tre përforcime, pa llogaritur lojtarët që mund të largohen gjatë merkatos. Drejtuesit e Milanit duket se janë të gatshëm të investojnë për t’i dhënë trajnerit futbollistët që përshtaten me idetë e tij taktike.
Një prej pikave kryesore është se kuqezinjtë pritet të blejnë pavarësisht se sa do të arrijnë të shesin. Natyrisht, largimet e mundshme do të hapnin hapësirë për më shumë afrime, por objektivi fillestar mbetet të paktën tre lojtarë të rinj.
Përforcimi i parë pritet të vijë në repartin defensiv. Me Fikayo Tomorin dhe Odogun që konsiderohen jashtë planeve, Milani ka nevojë për një tjetër qendërmbrojtës për të kompletuar grupin me Gabbia, De Winter, Pavlovic, Diawara dhe Gila.
Emri i Tiago Gabriel, mbrojtësit 21-vjeçar të Lecces, është rikthyer në listën e dëshirave të Milanit. Klubi nga Salento ka refuzuar më parë një ofertë prej 20 milionë eurosh nga Benfica.
Interesi për Tiago Gabriel nuk është i ri, pasi lojtari ishte vlerësuar edhe nga drejtuesit e mëparshëm të Milanit. Tani, me ndryshimet në klub, emri i tij është rikthyer në diskutim.
Një tjetër detaj që tërheq vëmendjen është se agjencia që përfaqëson mbrojtësin është tashmë nën menaxhimin e Jorge Mendes.
Në mesfushë situata duket më pak urgjente, pasi Musah dhe Ricci kanë bindur Amorimin, ndërsa edhe talenti Comotto është pjesë e planeve.
Megjithatë, kuqezinjtë po shqyrtojnë mundësi për të përforcuar krahët. Nëse Estupiñán largohet pas Athekame, një prej emrave që po ndiqet është Nicola Zalewski.
Lojtari i Atalantës, i lindur në vitin 2002, mund të luajë në të dy krahët dhe largimi i tij nga Bergamo konsiderohet i mundshëm pas mbërritjes së trajnerit Sarri. Vlera e tij në merkato vlerësohet rreth 15-20 milionë euro.
Në listë janë edhe Nuno Tavares, i Lazios, dhe Dodô i Fiorentinës. Për brazilianin, situata në Firence është e pasigurt, ndërsa fakti që ka vetëm një vit kontratë mund ta bëjë një objektiv më të përballueshëm për Milanin.
Në repartin ofensiv, Milani ka bërë tashmë një lëvizje konkrete për lojtarin që kërkohet nga Amorim.
Bëhet fjalë për Ethan Nwaneri, talentin 19-vjeçar të Arsenalit. Kuqezinjtë kanë paraqitur një ofertë për huazim me të drejtë blerjeje prej 40 milionë eurosh, por londinezët deri tani nuk e kanë marrë në konsideratë propozimin.
Nwaneri konsiderohet një profil që përshtatet me idetë e Amorimit dhe Milani po përpiqet të kuptojë nëse Arsenal është i gatshëm të negociojë.
Ndërkohë, në listë mbeten edhe Osorio i Midtjylland dhe Matías Soulé i Romës, edhe pse interesi për argjentinasin duket se është zbehur gjatë orëve të fundit.
Kështu, me më shumë se dy javë nga mbyllja e merkatos, Milani pritet të jetë një prej skuadrave më aktive në ditët e ardhshme, me Amorimin që kërkon të ndërtojë një skuadër sa më të përshtatshme për filozofinë e tij.
Top Channel