Europa nën pushtetin e flakëve/ Franca “lumë” arrestimesh, deri më tani afro 500 persona në pranga. Situatë e rëndë në Kroaci, Gjermani, Greqi dhe Spanjë
Shitjet e sendeve luksoze në shtëpitë kryesore të ankandeve po shënojnë rritje të fortë, në kontrast me tkurrjen e tregut më të gjerë të luksit.
Në shtëpinë britanike të ankandit për artet e bukura, Christie’s, shitjet e luksit u rritën me 15% në gjysmën e parë të 2026-ës, duke arritur 539 milionë dollarë. Ndërkohë, Sotheby’s realizoi 2.7 miliardë dollarë nga shitjet luksoze në 2025, 22% më shumë se një vit më parë. Rritja vazhdoi edhe në 2026. Në Sotheby’s, shitjet e orëve u rritën me 64%, ndërsa ato të bizhuterive 13%.
Edhe Phillips regjistroi sezonin më të suksesshëm të pranverës në historinë e tregut të orëve, me shitje që kaluan 235 milionë dollarë.
Por, paradoksi qëndron në faktin se tregu tradicional i luksit po humbet konsumatorë. Sipas Bain & Company, rreth 50 milionë klientë u larguan nga tregu midis 2022 dhe 2024, duke e çuar bazën globale të blerësve nga 400 në 350 milionë. Çmimet e larta dhe dobësimi i fuqisë blerëse po rëndojnë mbi industrinë e luksit.
Por kjo tkurrje prek kryesisht segmentet më të gjera të luksit, sipas revistës amerikane ArtNews, që shpjegon se ankandet operojnë në një nivel tjetër të tregut: te koleksionistët dhe individët shumë të pasur që kërkojnë uniken, cilësinë dhe objektet me histori.
Një tjetër faktor është zhvendosja nga tregu primar te ai sekondar, pra rishitjet. Disa klientë që më parë blinin drejtpërdrejt nga markat luksoze po i drejtohen ankandeve për të gjetur bizhuteri vintage, gurë të rrallë dhe orë që nuk prodhohen më. Në raste të caktuara, tregu sekondar ofron edhe çmime më tërheqëse.
Në thelb, shtëpitë e ankandeve nuk po përfitojnë domosdoshmërisht nga rënia e luksit, por nga polarizimi i tij. Ndërsa konsumatorët aspirues po tërhiqen, të pasurit po vazhdojnë të shpenzojnë për objekte të rralla.
Top Channel