Goditje e papritur për Interin, mbetet pezull transferimi i mesfushorit të padëshiruar drejt rivalëve

14/08/2026 07:26

Transferimi i Davide Frattesit nga Interi te Lazio ka hasur një pengesë të papritur në momentin e fundit.

Mesfushori italian pritej të kryente vizitat mjekësore këtë të premte, por operacioni është vendosur përkohësisht në pritje pasi Lega Serie A nuk ka dhënë ende miratimin për marrëveshjen.

Sipas raportimeve të Gianluca Di Marzios, Sky Sport Italia dhe mediave të tjera italiane, problemi lidhet me situatën financiare të Lazios. Më konkretisht, sipas Alfredo Pedullà, çështja ka të bëjë me pozicionin e klubit kryeqytetas sa i përket indeksit të likuiditetit të FIGC-së.

Marrëveshja mes Interit dhe Lazios ishte arritur dhe Frattesi pritej të udhëtonte drejt Romës për të kryer testet mjekësore.

Operacioni parashikonte një huazim me vlerë rreth 15 milionë euro, ndërsa Interi do të ruante edhe një klauzolë prej 50% në rast të një rishitjeje të ardhshme. Kjo përbën një ulje të ndjeshme krahasuar me kërkesën fillestare të zikaltërve, të cilët më parë kishin kërkuar 40 milionë euro për mesfushorin e kombëtares italiane dhe më pas e kishin ulur çmimin në rreth 30 milionë euro.

Megjithatë, problemi financiar i Lazios ka vënë në pikëpyetje për momentin realizimin e transferimit.

Tashmë të dy klubet duhet të gjejnë një zgjidhje që të jetë në përputhje me kriteret financiare të kampionatit italian. Raportimet e fundit bëjnë me dije se palët po punojnë për të riformuluar strukturën e marrëveshjes, në mënyrë që transferimi të mund të finalizohet.

Frattesi, ndërkohë, mbetet ende lojtar i Interit, ndërsa vizitat mjekësore te Lazio, të planifikuara për sot, nuk janë zhvilluar sipas planit fillestar.

Për momentin, transferimi nuk është anuluar, por është vënë në pritje, me Interin dhe Lazion që po kërkojnë një formulë të re për ta çuar marrëveshjen deri në fund.

Top Channel