Arsenal ka shfaqur interes për Jarell Quansah, mbrojtësin e Bayer Leverkusenit, i cili sipas raportimeve është i gatshëm të rikthehet në Angli pas vetëm një sezoni në Bundesliga.

Mbrojtësi 23-vjeçar është shfaqur në radarët e Arsenalit në një moment kur klubi londinez po kërkon me urgjencë një përforcim në qendër të mbrojtjes. Mikel Arteta ka nevojë për një tjetër alternativë pas dëmtimit të William Saliba.

Arsenali kishte shfaqur interes të fortë edhe për Ezri Konsa të Aston Villas, por kërkesa prej 60 milionë paundësh nga klubi anglez konsiderohet shumë e lartë dhe një marrëveshje për momentin duket gjithnjë e më e vështirë.

Në këtë situatë, Quansah mund të jetë një alternativë më e përballueshme.

Sipas raportimeve, Quansah është i interesuar për një rikthim në Premier League. Mbrojtësi u largua nga Liverpooli për t’iu bashkuar Bayer Leverkusenit rreth 12 muaj më parë, por dëshira e tij ka qenë gjithmonë të rikthehet në kampionatin anglez.

Leverkuseni pagoi rreth 30 milionë paund për kartonin e tij dhe tashmë pritet të kërkojë një shumë më të lartë në rast se vendos ta shesë.

Quansah është një profil që i përshtatet kërkesave të Artetës edhe për shkak të versatilitetit të tij. Ai mund të luajë si qendërmbrojtës, por edhe në krahun e djathtë të mbrojtjes.

Sezonin e kaluar, anglezi u shfaq si një prej mbrojtësve të rëndësishëm të Leverkusenit, duke luajtur kryesisht në të djathtë të një mbrojtjeje me tre lojtarë.

Në total, ai zhvilloi 44 ndeshje me Leverkusenin dhe shënoi pesë gola.

Quansah është produkt i akademisë së Liverpoolit, ku u bashkua që në moshën pesëvjeçare. Me ekipin e parë të “Reds” zhvilloi 58 paraqitje dhe ishte pjesë e skuadrës që fitoi titullin e Premier League.

Pas transferimit në Gjermani, ai vazhdoi zhvillimin dhe siguroi edhe një vend në kombëtaren angleze.

Mbrojtësi ka grumbulluar deri tani gjashtë ndeshje me Anglinë dhe ka qenë pjesë e rregullt e listave të Thomas Tuchel.

Arsenali tashmë po shqyrton mundësinë e transferimit të tij, ndërsa Quansah shihet si një alternativë interesante ndaj Konsas. Përveç një mbrojtësi, londinezët po kërkojnë gjithashtu një anësor të majtë, edhe pse transferimi i një emri të madh në këtë pozicion duket gjithnjë e më i komplikuar.

Top Channel