Kounde kërkon garanci te Barcelona, Flick po mendon një ndryshim të rëndësishëm. E ardhmja e francezit është në dyshim

13/08/2026 13:45

Jules Koundé është rikthyer në stërvitje me Barcelonën dhe dëshiron të mësojë se çfarë roli do të ketë në sezonin e ri. Ai kërkon qartësi nga Hansi Flick për pozicionin dhe statusin e tij në formacion.

27-vjeçari, i cili ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2030, ka qenë titullar i rëndësishëm në vitet e fundit, sidomos në krahun e djathtë të mbrojtjes. Megjithatë, fundi i sezonit të kaluar la përshtypjen se Koundé nuk është më një titullar i padiskutueshëm për Flick.

Sipas raportimeve nga Spanja, trajneri gjerman po shqyrton mundësinë që Eric Garcia të jetë zgjedhja e parë në krahun e djathtë, me të riun Xavi Espart si alternativë.

Situata bëhet edhe më interesante pas largimit të Ronald Araujos në formë huazimi te Liverpooli, pasi Flick e konsideron Koundén edhe si opsion për qendrën e mbrojtjes, pozicioni në të cilin francezi është formuar.

Koundé nuk ka në plan të largohet nga Barcelona dhe dëshira e tij është të vazhdojë në Camp Nou. Megjithatë, ai dëshiron të kuptojë se sa besim ka klubi tek ai dhe nëse do të jetë pjesë e formacionit bazë.

Interesi për francezin nuk mungon. Liverpooli, Arsenali dhe Manchester City janë ndër klubet e Premier League që e vlerësojnë mbrojtësin. Barcelona, nga ana tjetër, nuk e konsideron të pashitshëm nëse në tavolinë mbërrin një ofertë shumë e lartë dhe vetë lojtari kërkon largimin për arsye sportive apo financiare.

Katalanasit i dhanë një sinjal të qartë besimi Koundés në gusht të vitit 2025, kur i rinovuan kontratën deri në vitin 2030, pikërisht në një periudhë kur Manchester City po tentonte ta afronte.

Tashmë, pas rikthimit në stërvitje, Koundé kërkon të dijë nëse do të vazhdojë të jetë zgjedhja e parë e Flick apo do t’i duhet të luftojë për një vend në formacion.

Top Channel