‘Countdown-i’ i afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, nisi fill pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit. KQZ-ja i certifikoi rezultatet përfundimtare më 8 korrik, ndërsa, sipas Kushtetutës, seanca konstituive duhet të mbahet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve.

Kjo nënkuptonte se Kuvendi duhej të konstituohej më së voni më 7 gusht. Seanca konstituive nisi më 6 gusht, por Kuvendi nuk arriti të zgjedhë kryetarin dhe pesë nënkryetarët, të cilët, sipas përcaktimeve kushtetuese dhe praktikës së vendosur nga Gjykata Kushtetuese, janë pjesë e procesit që e përmbyll konstituimin e Kuvendit. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar kohë për të arritur një marrëveshje politike, veçanërisht për çështjen e presidentit të ardhshëm. Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës, me të cilën Vetëvendosja ka zhvilluar bisedime për një bashkëpunim të mundshëm, nuk ka arritur ende një marrëveshje politike.

PDK-ja dhe AAK-ja, në anën tjetër, kanë mbajtur qëndrimin se skadimi i afatit për konstituimin nuk e eliminon detyrimin e deputetëve për ta përfunduar seancën konstituive. Nga ana e saj, Vetëvendosja këmbëngul se një marrëveshje politike për çështjet kryesore, veçanërisht për zgjedhjen e presidentit, do të duhej të arrihej përpara se procesi të vazhdonte.

Ngërçi rreth afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka nxitur reagime edhe nga shoqëria civile. Katërmbëdhjetë organizata iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për interpretim, duke kërkuar të vlerësohet nëse aktgjykimi i saj është zbatuar në përputhje me përcaktimet dhe afatet kushtetuese, pas dështimit të Kuvendit për ta përfunduar procesin e konstituimit brenda afatit.

Në të njëjtën kohë, një grup prej 46 intelektualësh dhe akademikësh, përmes një letre të hapur, u bëri thirrje partive politike që të mundësojnë formimin e institucioneve të reja dhe të mbrojnë rendin kushtetues. Në letrën e tyre thuhet se Kosova nuk mund të mbetet pa institucione funksionale për shkak të kalkulimeve partiake, interpretimeve të njëanshme të Kushtetutës apo mungesës së vullnetit për kompromis politik. B

E-ja po ashtu ka kërkuar që partitë të gjejnë sa më shpejt një kandidat të përbashkët për president, duke paralajmëruar se vonesat në formimin e institucioneve mund të pengojnë reformat dhe të ndikojnë në përfitimin e fondeve evropiane.

Top Channel