Interi po i afrohet hap pas hapi objektivave të vendosur në merkato. Pas sigurimit të Djed Spence për krahun e djathtë, zikaltërit po punojnë për një tjetër përforcim të rëndësishëm, këtë herë në mesfushë.

Prioriteti i parë i Interit ishte gjetja e një krahu të djathtë dhe kjo çështje tashmë është zgjidhur me Djed Spence. Mbrojtësi pritet të mbërrijë në Milano në orët e ardhshme për të firmosur kontratën me klubin italian.

Marrëveshja me Tottenhamin parashikon rreth 30 milionë euro plus 2 milionë euro bonuse, por merkatoja e Interit nuk mbyllet këtu. Në javët e fundit të merkatos së verës, drejtuesit zikaltër synojnë t’i japin trajnerit Cristian Chivu një skuadër edhe më konkurruese.

Objektivi kryesor tashmë është Curtis Jones i Liverpoolit.

Klubi anglez vazhdon të kërkojë rreth 40 milionë euro për mesfushorin, por Interi beson se mund të ulë kërkesat e Liverpoolit, duke pasur parasysh se kontrata e Jones skadon në vitin 2027. Synimi i zikaltërve është të paraqesin një ofertë në intervalin 30-35 milionë euro.

Jones shihet si një lojtar me profil të veçantë nga mesfushorët e tjerë të Interit. Chivu e vlerëson pikërisht për faktin se mund të përdoret në disa pozicione dhe të jetë një “xhol” taktik për skuadrën, madje edhe në krahë nëse do të jetë e nevojshme.

Një pjesë e buxhetit për atë që mund të jetë goditja e fundit e madhe e Interit në këtë merkato mund të sigurohet nga shitja e Davide Frattesit, i cili është në orbitën e Lazios. Paralelisht, priten edhe largimet e Asllanit dhe Massolinit, ndërsa Akinsanmiro tashmë është larguar në drejtim të Monzës.

Jones dëshiron transferimin në Milano

Sa i përket Curtis Jones, sinjalet janë pozitive. Mesfushori thuhet se ka dhënë miratimin e plotë për transferimin te Interi, veçanërisht pasi nuk ka marrë sinjalet që priste nga Liverpooli lidhur me kërkesat e tij për rinovimin e kontratës.

Jones mungoi në miqësoren e fundit të Liverpoolit ndaj Monacos në Anfield. Zyrtarisht, trajneri Andoni Iraola e lidhi mungesën me probleme në ije.

Megjithatë, pavarësisht vlerësimit që klubi anglez ka për të, një kapitull i ri në karrierën e tij duket gjithnjë e më i mundshëm. Jones ka lindur në Liverpool dhe është rritur në akademinë e klubit, përpara se të bëhej pjesë e ekipit të parë.

Ndërkohë, Interi po studion lëvizjet e fundit për të bërë ofertën vendimtare. Nga ana tjetër, sinjalet që vijnë nga vetë Jones janë gjithnjë e më të qarta: mesfushori duket i hapur për një aventurë të re në Milano.

Ai madje ka tërhequr vëmendjen edhe në rrjetet sociale, duke pëlqyer disa postime të Interit në Instagram, përfshirë edhe atë që njoftonte afrimin e bashkëkombësit të tij, John Stones.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse këto sinjale do të përkthehen në një transferim konkret. Interi po përgatit lëvizjen e radhës dhe Curtis Jones mund të jetë goditja e madhe e fundit e merkatos zikaltër.

Top Channel