U zhvilluan homazhet në nderim të Agim Bubeqit, ish-futbollistit të Flamurtarit dhe Kombëtares Shqiptare, i cili u nda nga jeta në moshën 63-vjeçare. Kolegë, miq dhe familjarë i dhanë lamtumirën e fundit një prej emrave të brezit të artë të futbollit vlonjat.

Bubeqi ishte pjesë e Flamurtarit gjatë viteve ’80-’90, një periudhë e artë për klubin vlonjat, që në ato vite u shndërrua në një prej skuadrave më të forta të futbollit shqiptar dhe shkroi historinë edhe në arenën europiane.

I lindur më 7 prill 1963, Bubeqi e zhvilloi karrierën e tij profesionale me fanellën e Flamurtarit, ku luajti si sulmues. Me paraqitjet e tij, ai u bë pjesë e një prej brezave më të spikatur në historinë e klubit.

Në homazhe, miq dhe ish-kolegë kujtuan figurën e Bubeqit dhe kontributin e tij në futboll, ndërsa ndanë dhimbjen me familjarët.

Rrethanat e ndarjes së tij nga jeta kanë tronditur të afërmit. Ish-futbollisti është gjetur pa jetë në apartamentin e tij, ndërsa dyshohet se kishte ndërruar jetë disa ditë më parë. Kanë qenë fqinjët ata që kanë vënë re mungesën e tij dhe kanë njoftuar Policinë.

Agim Bubeqi mbetet një nga emrat e brezit që i dha Flamurtarit një vend të veçantë në historinë e futbollit shqiptar.

Top Channel