Drita ka bërë lëvizjen e radhës në merkato, duke zyrtarizuar afrimin e mesfushorit shqiptar Eduart Rroca.

Klubi nga Gjilani ka konfirmuar transferimin e 33-vjeçarit, i cili pritet të jetë një përforcim me peshë për skuadrën kampione.

Pas ardhjes së Ardian Nuhiut në krye të ekipit, drejtuesit e Dritës kanë vijuar punën për të konsoliduar organikën, ndërsa kësaj here kanë zgjedhur eksperiencën e Rrocës për repartin e mesfushës.

“Mirë se vjen, Eduart Rroca”, ishte mesazhi i shkurtër i klubit në njoftimin zyrtar për transferimin.

Rroca vjen te Drita pas disa sezonesh në futbollin turk, ku ka luajtur për skuadra si Istanbulspor, Manisa FK dhe Ankara Keçiörengücü, duke krijuar një eksperiencë të konsiderueshme në kampionatin turk.

Mesfushori ka një të kaluar të pasur edhe në futbollin shqiptar. Ai ka qenë pjesë e Luftëtarit, Egnatias, Tërbunit dhe Kukësit, përpara aventurës së tij në Turqi.

Top Channel