Trump mbron kreun aktual të FIFA-s: Do të ishte një gabim të tmerrshëm nëse e largojnë Infantinon

11/08/2026 11:33

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar FIFA-n se do të bënte një “gabim të tmerrshëm” nëse do të vendoste të largonte Gianni Infantinon nga drejtimi i organizatës botërore të futbollit.

Infantino është vënë nën presion pas planit të dështuar për të shitur një pjesë të aksioneve të Kupës së Botës për meshkuj te investitorë privatë.

Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, Trump shprehu mbështetjen e tij për presidentin e FIFA-s, duke e cilësuar atë si një drejtues të jashtëzakonshëm.

“FIFA do të bënte një gabim të tmerrshëm nëse, për çfarëdo arsyeje, do të mendonte të zëvendësonte presidentin Gianni Infantino”, shkroi Trump.

Presidenti amerikan shtoi se Infantino “është fantastik” dhe se ka drejtuar një Botëror që, sipas tij, ishte “katër herë” më i suksesshmi i zhvilluar ndonjëherë. Trump paralajmëroi gjithashtu se largimi i tij do të ndikonte negativisht në suksesin dhe përfitueshmërinë e ardhshme të turneut.

Deklarata e Trump vjen në një moment kur presioni ndaj Infantinos është shtuar ndjeshëm. UEFA, Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC) dhe Concacaf kanë zhvilluar bisedime fillestare për mundësinë e organizimit të kompeticioneve të tyre, në një përpjekje për t’u distancuar nga kriza që ka përfshirë FIFA-n.

Tre konfederatat e kanë akuzuar drejtimin e FIFA-s për “mashtrim” dhe, sipas raportimeve, dëshirojnë t’i japin Infantinos mundësinë të largohet me dinjitet, pa kërkuar një mandat të ri në zgjedhjet e marsit të vitit të ardhshëm.

Në një letër të përbashkët, drejtuesit e UEFA-s, AFC-së dhe Concacaf-it kanë kërkuar një hetim të pavarur mbi planin e Infantinos, pa e përmendur drejtpërdrejt presidentin e FIFA-s.

“Udhëheqja në futboll nuk është pronë. Nuk ka të bëjë me mbajtjen apo kërkimin e pushtetit. Është një detyrë në shërbim të familjes së futbollit që të ka besuar autoritetin”, thuhet në letër.

Kriza shpërtheu pas propozimit të Infantinos për krijimin e Fifa Forëard Enterprise (FFE), një kompani që do të menaxhonte aspektet komerciale dhe operacionale të kompeticioneve të FIFA-s, me idenë për t’i shitur rreth 20% të saj investitorëve privatë.

Infantino më pas kërkoi falje për këtë propozim, i cili shkaktoi reagime të forta brenda futbollit ndërkombëtar.

Top Channel