“Nuk duam revolucion me plumba, por ideologjik dhe kulturor”/ Pas thirrjeve në bulevard, protesta e 73-të mbyllet me marshim në kryeqytet

11/08/2026 22:41

Për 73 ditë me radhë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u përsërit e njëjta thirrje, “Dorëheqje e kryeministrit Edi Rama dhe gjithë klasës politike”.

Protesta e bulevardit kujtoi edhe njëherë kërkesat për qeveri teknike dhe ndryshime kushtetuese, thirrje që u përsëritën poshtë dritares së kryeministrit.

Një nga të moshuarit e pranishëm në protestë në fjalimin e tij ka deklaruar se duan të bëjnë revolucion ideologjik dhe kulturor, pa plumba e armë.

“Ne duam të bëjmë revolucion që të zgjohet populli, revolucion ideologjik e kulturor, sepse me kulturë ecën vendi përpara, me njerëz të edukuar dhe të emancipuar, jo me plumba. Ta marrin vesh patronazhistët që mblidhen dhe na thonë se kërkojmë revolucion: jo revolucion të armatosur, por ideologjik e kulturor! Të zgjohet populli”, tha ai.

Protestuesit nuk kursyen as opozitën, ndërsa pas fjalimeve poshtë Kryeministrisë, ata iu drejtuan rrugëve të kryeqytetit.

Me thirrjet për rrëzimin e politikës, protestuesit zhvilluan marshimin e përnatshëm dhe njoftuan ritakim sërish të mërkurën.

Top Channel